“Shëtitja” e Dritan Dajtit në ish bllok, SHKB padit policët për shpërdorim detyre

  • 20 January 2020 - 16:19
“Shëtitja” e Dritan Dajtit në ish bllok, SHKB padit policët për shpërdorim detyre

‘Shëtitja’ prej disa orësh e Dritan Dajtit nga qelia drejt ish bllokut në Tiranë, duket se do t’i kushtojë shtrenjt disa prej policëve që e shoqëruan atë për trajtimin mjekësor në një klinikë private.

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka kallëzuar për “Shpërdorim detyre” efektivët, me argumentin se njoftimi për lëvizjen e të dënuarit që vrau në 2009 4 policë, është kryer përmes një sms-je dhe jo sipas procedurave. Në kallëzim vihet në dukje se nuk është vënë në dijeni po ashtu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.

SHKB po ashtu argumenton se Dritan Dajti duhej të ishte dërguar në spitalin shtetëror pranë burgut të Peqinit, aty ku kryen dënimin e tij.

Kujtojmë se video që qarkulloi në media solli një reagim të fortë nëpër institucionet shqiptare. Fillimisht u shkarkua nga detyra drejtori i burgut të Peqinit, dhe më tutje drejtori i policisë së burgjeve e po ashtu mjeku.

(Kosova Sot Online)