Dështimi i koalicionit VV-LDK,vjen ‘goditja’ e rëndë për Kurtin dhe Mustafën

  • 21 January 2020 - 12:38
Dështimi i koalicionit VV-LDK,vjen ‘goditja’ e rëndë për Kurtin dhe Mustafën

“Për të sjellë ndryshime në vend, pikë së pari duhet të ndryshojë vet protagonisti kryesor i tyre dhe jo ai të mbetet kaq i ngurtë dhe i mbyllur, siç po dëshmohet se ka ngelur Albin Kurti, i cili bashkë me Isa Mustasfën e Agim Veliun, tash e gati katër muaj,një popull të tërë e mbajnë pezull në këmbë, duke pritur me "veshë në krahë" se kur dhe a do të mund të ujdisen për krijimin e qeverisë së re, këta far burra të dheut”, thotë Qarri për “Kosova Sot Online”.

Albin Kurti, gjatë ditës së sotme është propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje si mandatar për kryeministër të Kosovës, ani pse ende nuk ka një marrëveshje për koalicion me LDK-në.

Kurse, letra e fundit e VV-së në përgjigjen ndaj LDK-së që u bë publike ditën e enjte, sipas analistëve politikë është edhe një hap tjetër larg marrëveshjes për koalicionin qeverisës LVV- LDK, pasi që është thënë shumë qartë se pozita e kryetarit të Kuvendit, në këtë rast Glauk Konjufcës është e pa prekshme dhe e pa diskutueshme.

Mirëpo për këtë situatë të krijuar, pas deklarimeve të shumtë ta krerëve të LVV-së dhe LDK-së, por edhe zyrtarëve të tjerë partiakë se janë afër arritjes së marrëveshjes, analistët politikë tani akuzojnë të dyja palët se po luajnë me fatin e shtetit të Kosovës, duke rrezikuar ta lënë pa qeveri dhe përsëritje të procesit zgjedhor.

Analisti politik, Gani Qarri thotë për “Kosova Sot Online” se me këtë mentalitet politik nuk ndërtohet qeveria e premtuar për ndryshime të mëdha, me të cilat u joshën qytetarët për t’i votuar këto dy subjekte politike.

Image
Gani Qarri

“Për të sjellë ndryshime në vend, pikë së pari duhet të ndryshojë vet protagonisti kryesor i tyre dhe jo ai të mbetet kaq i ngurtë dhe i mbyllur, siç po dëshmohet se ka ngelur Albin Kurti, i cili bashkë me Isa Mustafën e Agim Veliun, tash e gati katër muaj,një popull të tërë e mbajnë pezull në këmbë, duke pritur me "veshë në krahë" se kur dhe a do të mund të ujdisen për krijimin e qeverisë së re, këta far burra të dheut. Me ideologji revolucionare të sllavo komunizmit dhe dogma të Mao-s e Leninit, të mësuara përmendësh ,në kohët e sotme, as në Kosovën e vogël, nuk mund të vijnë ndryshimet në pushtet”, thotë Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, vullneti i qytetarëve në votimet e 6 tetorit, vërtetoi fuqishëm dëshirën e tyre të kamotshme për ndryshime, dhe përcaktoi edhe partnerët politikë të koalicionit për formimin e qeverisë së re,ndaj kushdo që përpiqet të luaj me vullnetin e popullit dhe votën e qytetarëve, me vetëdije apo edhe pa të, është duke luajtur hapur me fatin e vendit dhe stabilitetin politik e social të shtetit të brishtë të Kosovës. 

“Për aq më tepër, me letrën e fundit të VV-së,drejtuar si përgjigje ndaj LDK-së,po shihet qartë se u bë edhe një hap tjetër eklatant, në largimin edhe më tej, të marrëveshjes për koalicionin qeverisës LVV- LDK. Përplasja kryesore që shkaktoi diferenca kaq të mëdha ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-s, në mosarritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe formimin e qeverisë së re, është pikërisht zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, në këtë rast Glauk Konjufcës, pozitë për të cilën, LVV, duke marrë mbi vete edhe barrën e dështimit të krijimit të qeverisë, deklaron me këmbëngulje se është e pa prekshme dhe e pa diskutueshme. Pse kjo mënyrë veprimi, kur shihet hapur se nuk është mënyra më e mirë që këto dy subjekte politike të ofrohen dhe arrijnë marrëveshje për koalicion qeverisës, megjithëse siç duket me votimin e Glauk Konjufcës edhe LDK-ja vet, ka rënë në kurthin e Vetëvendosjes që në ditën e mbajtjes së tubimit të parë në parlament, kur edhe ajo e votoi Konjufcën për kryetar të Kuvendit”, shton Qarri për “Kosova Sot Online”.

“Edhe me rregullore dhe Kushtetutën e vendit ndërrimi apo shkarkimi i kryetarit nga ajo pozitë, tani nuk mundë të ndodhë ndryshe përveç nëse sigurohen dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit, pra 81 vota, po që se z.Konjufca nuk deklarohet vullnetarisht për dorëzimin e mandatit të kryetarit të Kuvendit, prandaj nuk ka logjikë kërkesa për largimin e Konjufcës nga pozita e drejtuesit të parlamentit.Dhe siç po vazhdon kohëve të fundit, loja me letra VV-LDK,tashmë vërehet hapur tendenca, që gjendja të eskalon drejt krizës politike dhe kolapsit të thellë, nëse pas dështimit për formimin e qeverisë, nuk organizohen sa më shpejtë zgjedhjet e reja. Mjerisht ka kohë, që kjo klasë e kriminalizuar politike, përditë e më tepër po e çon vendin drejt shkatërrimit, e cila synim të vetëm e ka pushtetin, duke mos përjashtuar këtu edhe VV-në dhe as LDK-në”, thekson Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, po dëshmohet qartë dhe fuqishëm se as “koalicioni VV-LDK” nuk është koalicion i shpresës dhe ndryshimit, ashtu siç e kishin proklamuar veten me pompozitet këto parti.

“E sikur të mos mjaftonin të gjitha këto,nga përvoja e hidhur e viteve të fundit, shihet qartë se edhe vet qeverisja e LVV, në dy qytetet më të mëdhatë të vendit, si kryeqyteti i Kosovës Prishtina ku asgjë nuk ecë më pa mito dhe para ndër dorë,për aq më keq, në qytetin e Lidhjes në Prizren përveç funksionare kryesor komunal, që mbajnë me forcë pozitat dhe vend punimet, përkundër precedencave të vërtetuara penale, gjendja ka degraduar edhe më keq,dhe duket se jo më udhëheqja vendore, por TIKA- arkaike turko-erdoganiste, udhëheqë me komunën dhe mbizotëron çdo gjë”, tha në fund analisti politik, Gani Qarri, duke akuzuar veçanërisht LVV-në.

(Kosova Sot Online)