Skandaloze: Prokuroria vazhdon të HESHT për pazarin kriminal mes Shpendit dhe Arbër Kryeziut

  • 23 January 2020 - 18:00
Skandaloze: Prokuroria vazhdon të HESHT për pazarin kriminal mes Shpendit dhe Arbër Kryeziut

“Kjo lagje në afërsi ose thënë më mirë në breg të liqenit veç i ka të shitura shtëpitë luksoze dhe atë tek politikanët dhe milionerët e Kosovës të cilët do vazhdojnë me projekte tjera pas këtij tek liqeni. Shkarkimi i Shpend Ahmetit nuk do të ishte i mjaftueshëm sepse me apo pa të struktura e uzurpokracisë do të vazhdoj të funksionoj përderisa nuk ka një ndryshim të gjerë. Edhe shpallja e projektit është bërë në një kohë kur i zë institucionet e paformuara që klasa politike për mosreagimin e tyre të arsyetohet me kinse vakum pushteti. Çdo gjë është planifikuar me kohë dhe edhe kundërpërgjigja ndaj zërave kundërshtues”, thotë analisti Kuçi për “Kosova Sot Online”.

Po mbushen plot dy javë që kur “Kosova Sot Online” siguroi dhe publikoi lejen ndërtimore që Shpend Ahmeti ia ka dhënë te liqeni i Badovcit, njeriut që ia përuroi edhe qendrën tregtare, Arbër e Latif Kryeziut, pronarëve të kompanisë së naftës “AL PETROL”, edhe atë për të ndërtuar hiq me pak se 226 shtëpi luksoze, por për të cilën nuk reagoi askush kundër lejes ndërtimore që iu lëshua për të ndërtuar lagjen “ROYAL Green Residence” te liqeni i Badovcit.

“Kosova Sot” në vazhdimësi ka raportuar lidhur me këtë skandal, i cili është vlerësuar si krimi më i madh që po bëhet Prishtinës nga Ahmeti përmes lejeve ndërtimore, mu para syve të prokurorisë e cila po e ka “të vështirë” që ta fillojë hetimin e këtij dhe skandaleve tjera të ngjashme me lejet ndërtimore.

Mirëpo edhe përkundër zbardhjes së fakteve që flasin se komuna e Shpend Ahmetit e ka shkelur tërësisht ligjin me këtë projekt të lejuar, prokuroria nuk po vepron duke vazhduar të hesht përballë këtij skandali.

Lidhur me këtë, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti politik, Gurakuç Kuçi, sipas të cilit tashmë po dihet botërisht se Kosova po qeveriset nga uzurpokratët dhe nuk sundon populli, por uzurpokracia.

Image
Gurakuç Kuçi

“Kosova është bërë një shtet i një grupi të vogël oligarkësh të cilët e kanë kthyer shtetin në shtet rentier apo qiradhënës ndaj një grupi të vogël. Në këtë kuadër hyjnë pothuajse komplet sfera politike dhe biznesore, në Kosovë asgjë nuk mund të bësh nëse nuk je i lidhur me politikën apo nuk je politikan sepse është ndërtuar trekëndëshi shteti-ekonomia-mafia. Në këtë kuadër hyjnë edhe dhënia e lejeve ndërtimore në gjithë Kosovën e së fundmi ku kanë filluar të preken edhe lumenjtë dhe liqenet si ai i Badovcit. Pa përjashtim, në Kosovë nuk mund të marrësh leje ndërtimore për asgjë dhe askund pa lidhje me politikën, dhe kur ke lidhje me politikën nuk vlen ligji më për një person apo biznesin. Të gjithë e dimë saktë për lidhjet e personave në fjalë dhe kompanisë me të gjitha partitë politike dhe fuqinë e tyre. Duke qenë se ata kanë lidhje dhe funksionin sipas trekëndëshit të mësipërm atëherë në të vërtetë nuk ka opozitë për ta dhe fuqia e parasë e heshtë edhe prokurorinë e të gjithë”, thotë analisti Gurakuç Kuçi për “Kosova Sot Online”.

Kjo lidhje kriminale në fushën e ndërtimit, sipas analistit Kuçi asnjëherë nuk e ka kursyer natyrën nga shkatërrimi për çështje biznesi, por tashmë rreziku është bërë tepër alarmant për një pjesë të madhe të qytetit të Prishtinës, ku armata e mafies së ndërtimeve po i turret edhe Liqenit të Badovcit.

“Shkatërrimi i natyrës në Kosovë është fenomen i vazhdueshëm ndërsa ky me Badovcin është më i madhi. Nëse një qytetar i thjeshtë do të kërkonte një leje për një shtëpi druri të vogël të ndërtoj aty apo ta ndërtonte do të burgosej, por kjo nuk vlen për milionerët të cilët janë aksionarë me politikanët. Projektet e tilla realizohen lehtë sepse nuk hasin askund në rezistencën e ligjit dhe shtetit pasi janë vetë shteti dhe arsyetimet ligjore i bëjnë si iu konvenon për të zbatuar projektet. Një projekt që totalisht do ta shkatërroj Badovcin me faunën, natyrën, rekreacionin dhe pasuritë ujore e arkeologjike edhe mund të realizohet pasi forca e pushtetit të kapur dekurajon lëvizje të qytetarëve të cilët mund të ndalojnë procese keqbërëse. Nuk është e rastësishme që në Kosovë ka rezistencë në ndryshimin e gjeneratave politike sepse pastaj çdo ndryshim nuk do të mund të lejonte projekte si kjo në Badovc që të ndërtohen vila luksoze për milionerë”, shton analisti Kuçi për “Kosova Sot Online”. 

Sipas Kuçit, projekti i Badovci ka shkuar aq larg sa që aty edhe janë bërë kontratat me objektet që do të ndërtohen, janë shitur villat akoma pa u ndërtuar.

Prandaj sipas Kuçit, do të jetë e vështirë beteja e drejtë e qytetarëve me mafinë e ndërtimit dhe komunarët e korruptuar që ta ndalin projektin dhe ta mbrojnë Badovcin, pasi që as drejtësia nuk po reagon, andaj edhe po të shkarkohet Shpend Ahmeti, projekti i tij do ecën përpara.

“Kjo lagje në afërsi ose thënë më mirë në breg të liqenit veç i ka të shitura shtëpitë luksoze dhe atë tek politikanët dhe milionerët e Kosovës të cilët do vazhdojnë me projekte tjera pas këtij tek liqeni. Shkarkimi i Shpend Ahmetit nuk do të ishte i mjaftueshëm sepse me apo pa të struktura e uzurpokracisë do të vazhdoj të funksionoj përderisa nuk ka një ndryshim të gjerë. Edhe shpallja e projektit është bërë në një kohë kur i zë institucionet e paformuara që klasa politike për mosreagimin e tyre të arsyetohet me kinse vakum pushteti. Çdo gjë është planifikuar me kohë dhe edhe kundërpërgjigja ndaj zërave kundërshtues”, deklaron analisti Kuçi për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Kuçi, shkatërrimi i natyrës dhe pakujdesia ndaj resurseve ujore është një krim i madh që po ndodhë jo vetëm në Prishtinë, por gjithandej Kosovës, kurse Prishtina është vetëm një model i asaj që po ndodhë gjithandej Kosovës.

“E keqja është se Kosova nuk ka burime të mjaftueshme ujore dhe dëmtimet në afërsi të liqeneve dhe lumenjve vetëm sa do e rrisë krizën në të ardhmen për ujë, përderisa qytetet janë shkatërruar nga ndërtimet pa plan dhe lumenjtë po futen nëpër gypa, tani liqenet kanë mbetur të rrethohen dhe tu merret i vetmi rekreacion i qytetarëve. Bjeshkët po ashtu po shkatërrohen, pyjet po dëmtohen, ajri po njeh stade të larta të ndotjes dhe përfundimisht edhe mungesa e perspektivës, Kosova po bëhet vend i pa jetueshëm”, përfundon analisti politik, Gurakuç Kuçi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)