Zbulohen mesazhet e Grenellit për Thaçin, Kurtin dhe Mustafën, ja pse i “harroi” Veselin e Haradinajn

  • 25 January 2020 - 07:49
Zbulohen mesazhet e Grenellit për Thaçin, Kurtin dhe Mustafën, ja pse i “harroi” Veselin e Haradinajn

“Në fakt, mesazhet që dha Grenelli në Beograd janë mesazhe që ua ka dhënë edhe liderëve shtetëror dhe partiak në Kosovë, e në veçanti ishte mesazh për Albin Kurtin që qeveria duhet të bëhet dhe se ajo do të jetë qeveri për miratimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Injorimi që Grenelli ua bëri Haradinajt dhe Veselit është dëshmi se administrata e Trump e ka humbur besimin në lidershipin e tyre sa i përket arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë, për arsye tashmë të njohura për opinionin publik”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili ka qëndroi në Kosovë dhe në Serbi, e ku me të arritur atje ka potencuar se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nuk do të lejojë që të zvarritet shumë gjatë procesi i arritjes së një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Analistët politikë të cilët në vazhdimësi e kanë përcjellë ecurinë dialogut me Serbinë, e vlerësojnë qëndrimin treditor të Grenelit në Prishtinë dhe Beograd, si një angazhim serioz të SHBA-ve në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe si dëshmi që flet se finalja e arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi është shumë afër.

Këtë vlerësim për vizitën e Grenellit në të dyja vendet e ka edhe analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike Florim Zeqa.

Sipas tij, vetë simbolika e takimeve të zhvilluara, duke takuar vetëm Hashim Thaçin si president i vendit, Albin Kurtin si kryetar të subjektit më të madh politik dhe kryeministër në ardhje pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, si dhe kreun e LDK-së Isa Mustafa, si parti e dytë e dalë nga zgjedhjet dhe në pritje të marrëveshjes për koalicion qeverisës me LVV-në, tregon se fokusi i takimeve ka qenë me bartësit e përgjegjësive kryesore në institucionet e shtetit.

“Prandaj ka anashkaluar kreun e PDK-së Kadri Veselin dhe Kryeministrin në detyrë Ramush Haradinajn, opozitarët e mandatit të ri qeverisës tek të cilët SHBA e ka humbur besimin.

Image
Florim Zeqa

“Vizita e dërguarit të posaçëm i presidentit Donald Trump, Richard Grenell në Prishtinë dhe Beograd është dëshmi se finalja Kosove-Serbi është shumë afër. Sado që jo e shprehur me fjalë nga Grenelli në Prishtinë, vizita e tij ishte fokusuar në presionin e drejtpërdrejtë ndaj liderit të LVV-së, Albin Kurtit dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa për arritjen sa më parë të marrëveshjes për bashkëqeverisje, e jo siç deklarohej para medieve, kinse është i interesuar për zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Ndryshe nga Prishtina, Grenelli në Beograd ishte më i qartë, i cili më të arritur atje foli hapur për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke potencuar se presidenti i SHBA’së, Donald Trump, nuk do të lejojë që të zvarritet shumë gjatë procesi i arritjes së një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Se koha për marrëveshje po afron dhe nuk mundë të lejohet tutje zvarritja e saj, sipas Zeqës qartësisht Grenelli e tha në Beograd, e të njëjtën gjë mundë të jua ketë thënë gjatë takimit edhe liderëve të Kosovës, edhe pse nuk është përmendur para medieve.

“Sepse kjo veç nënkuptohet nga takimi i parë i zhvilluar me Hashim Thaçin i cili po vazhdon dhe do të jetë edhe në të ardhmen faktori kryesor në këtë proces. Në fakt, mesazhet që dha Grenelli në Beograd janë mesazhe që ua ka dhënë edhe liderëve shtetëror dhe partiak në Kosovë, e në veçanti ishte mesazh për Albin Kurtin që qeveria duhet të bëhet dhe se ajo do të jetë qeveri për miratimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Injorimi që Grenelli ua bëri Haradinajt dhe Veselit është dëshmi se administrata e Trump e ka humbur besimin në lidershipin e tyre sa i përket arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë, për arsye tashmë të njohura për opinionin publik. Takimi dhe përqafimi i ngrohtë i Grenellit me Hashim Thaçin në Prishtinë janë dëshmi se Thaçi ende është një lojtar kyç për bisedimet me Serbinë, pavarësisht (mos) marrëveshjes për qeverisje mes LVV-së dhe LDK-së”, deklaron analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)