Alarmon analisti i njohur: Dëshmitarët e Gjykatës Speciale po vriten në Kosovë

  • 25 January 2020 - 19:48
Alarmon analisti i njohur: Dëshmitarët e Gjykatës Speciale po vriten në Kosovë

“Nuk është kjo vrasja e parë e një dëshmitari tek ne. Kemi pasur vrasje edhe në të kaluarën, por që janë cilësuar vdekje natyrale ose vetëvrasje. Mjafton të kujtojmë Astrit Deharin, gazetarin Hamdi Sopa, Dino Hasanajn, Agim Zogaj në Gjermani, Naser Makollin, shokun e qelisë së Astritit etj etj. Kemi rastin edhe të zhdukjes së një shoku tjetër së qelisë së Astrit Deharit”, thotë analisti Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

 

Vrasja e Nazmi Rrustemit në dhjetor të vitit të kaluar afër Liqenit të Badovcit, që sipas familjarëve të tij po del të ketë qenë dëshmitar i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik në Kosovë. 

Image
Faik Krasniqi

Sipas analistit politik, Faik Krasniqi është dështim i madh i drejtësisë vendore dhe Gjykatës Speciale, që dëshmitarët e këtij rangu të vazhdojnë të mbeten akoma në Kosovë, kur dihet se nga institucionet e drejtësisë kosovare nuk ekziston as minimumi i zbatimit të ligjit të mbrojtjes së dëshmitarëve, përkundrazi, edhe për vepra më të lehta ata ndiqen dhe ekzekutohen.

 “Është e pa kuptueshme se si një dëshmitar i Gjykatës Speciale të jetojë në Kosovë. Nuk e kuptoj të ndjerin se si ka pranuar të dëshmoj dhe të rrezikojë jetën e tij dhe të familjes. Asnjë dëshmitar nuk jeton në Kosovë, por bashkë me familjet e tyre i kanë larguar nga këtu”, thotë Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Krasniqit, akoma mbetet e pa qartë e vërteta pasi që deri më tash nuk ka pasur asnjë reagim të Gjykatës Speciale në lidhje me vrasjen e të ndjerit, Nazmi Rrustemi. 

“Ka mundësi që edhe të ketë qenë dëshmitar i kësaj Gjykate, por për mua mbetet i pa kuptueshëm fakti që ai jo vetëm ka rrezikuar jetën e tij, por edhe të gjithë familjes, sepse dihet që dëshmitarët janë shënjestra për t'u vrarë. Çdo krim që behet vriten dëshmitarët, prandaj ju ofrohet mbrojtje”, shprehet Krasniqi për “Kosova Sot Online”, duke shtuar se kështu vepron në eliminimin e dëshmitarëve mafia në çdo vend, dhe e njëjta është edhe në Kosovë. 

“Nuk është kjo vrasja e parë e një dëshmitari tek ne. Kemi pasur vrasje edhe në të kaluarën, por që janë cilësuar vdekje natyrale ose vetëvrasje. Mjafton të kujtojmë Astrit Deharin, gazetarin Hamdi Sopa, Dino Hasanajn, Agim Zogaj në Gjermani, Naser Makollin, shokun e qelisë së Astritit etj etj. Kemi rastin edhe të zhdukjes së një shoku tjetër së qelisë së Astrit Deharit. Në Kosovë dëshmitarët kundër krimit ndiqen, vriten dhe nuk i mbron askush”, përfundon Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)