Alarmon eksperti: Në Kosovë askush nuk u beson prokurorive dhe gjykatave, ja pse!

  • 26 January 2020 - 17:53
Alarmon eksperti: Në Kosovë askush nuk u beson prokurorive dhe gjykatave, ja pse!

“Me ligje jemi mirë, me letra jemi mirë, po kush i zbaton ato, kush përgjigjet për shkeljet ligjore, kush e mbikëqyr zbatimin e tyre. Anarki! Ligjet po i shkruajnë por kot, nuk po zbatohen”, thotë eksperti i së drejtës, Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”.

 

Edhe pse Kosova po kalon 20 vite në liri në proces të shtet ndërtimit dhe të shtetit të së drejtës, problemi më i madh vazhdon të mbetet mos respektimi i ligjeve dhe moszbatimi i tyre. 

Edhe pse ligjet ndryshohen e amandamentohen shpesh, ato nuk sjellin rezultat gjersa nuk zbatohen në praktikë. 

Image
Hasan Preteni

Kështu thotë për “Kosova Sot Online”, njohësi i kësaj fushe, Hasan Preteni. 

Për më keq, sipas Pretenit edhe pse Kosova e ka legjislacionin e nivelit evropian të standardizuar me kriteret e BE-së, mungon zbatimi i ligjit dhe për këtë nuk përgjigjet askush, pavarësisht se me këtë mos veprim shkelen edhe të drejtat elementare të njeriut. 

“E nga krejt kjo situatë, del konstatimi që vetë institucionet e shtetit institucionet shkelëset më të mëdha të ligjit dhe të të drejtave të njeriut. Me ligje jemi mirë, me letra jemi mirë, po kush i zbaton ato, kush përgjigjet për shkeljet ligjore, kush e mbikëqyr zbatimin e tyre. Anarki! Ligjet po i shkruajnë por kot, nuk po zbatohen”, thotë eksperti i kësaj fushe, Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”.

E kur nuk zbatohet ligji, sipas  Pretenit, nuk funksionon as drejtësia.

“Me një analizë të thjeshtë dalin në sipërfaqe qasjen e qytetarit ndaj gjyqësorit. Numri i Kallëzimeve Penale është në rënie e sipër, nuk ju besohet këtyre. Qytetari problemet e veta po i zgjedh me metoda mesjetare, me Kanun, me pleqni dhe me ndërmjetësim sepse nuk funksionon, nuk zbatohet ligji. Kemi ardhur në aso gjendje kur askush më nuk ju beson prokurorive dhe gjykatave sepse edhe mesatarja e zgjedhjeve të një lënde zgjatë gati një dekadë, është rreth 8 vjet. Kjo ka të bëjë kur flasim për ato rastet penale e për ato civile po zgjatin edhe me dekada. E kur nuk zbatohet ligji, shkelen të drejtat e njeriut dhe asaj i thonë drejtësi e vonuar që realisht është drejtësi e dështuar”, shton Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas Pretenit, kjo formë e funksionimit të shtetit është tipike anarkiste. 

“Kemi fituar liri, demokraci dhe drejtësi. Na ndihmuan fuqishëm të fitojmë lirinë por kurrsesi nuk po mundemi, nuk po mundë të luftojmë të kemi demokraci dhe drejtësi të mirëfilltë. Demokracia po nënkuptohet si anarki, bën kush çka të donë sepse nuk zbatohet ligji. Drejtësi nuk ka, sundimi i ligjit në fund të pusit, sundon forca fizike e politike e në asnjë mënyrë, forca e ligjit. Zbatueshmëria e ligjit është fakultative, varet nga edukata, nga morali, etika dhe nga integriteti personal. Respektimi i ligjit po konsiderohet sikur mos me qenë fare  obligativ. Ai bëhet obligativ dhe të ndjek vetëm nëse je i varfër dhe i paangazhuar politikisht, atëherë obligohesh për ta zbatuar, në të kundërtën jo. Prandaj fatkeqësisht pa ndihmën ndërkombëtare edhe për një kohë nuk do të kemi as demokraci dhe as drejtësi”, përfundon eksperti i së drejtës, Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)