Kërkohet trafikanti i heroinës me 10 mln euro pasuri

  • 27 January 2020 - 18:54
Kërkohet trafikanti i heroinës me 10 mln euro pasuri

Forcat speciale të Policisë, që prej paradites mbajnë të rrethuar zonën e Shijakut. Jo vetëm për të zbardhur një ngjarje që nis në Kamëz me pengmarrjen e një personi, por se ka dyshime të forta se në zonë fshihet një prej të kërkuarve të Drejtësisë.

Ai është Altin Hajri një emër i njohur për policinë, pasi ka qenë në kërkim  për trafik droge dhe akuzohej se ishte kreu i një grupi trafikantësh, që u godit pas një operacioni ndërkombëtar të Drejtorisë së Antidrogës shqiptare dhe asaj italiane, në tetor të 2015, ku asokohe u vunë në pranga 16 persona në Itali e Shqipëri.

Ky grup, trafikonte mbi 1 ton heroinë në Itali brenda vitit, ndërsa gjatë operacionit u sekuestruan 500 kilogramë drogë, nga të cilat 206 kg heroinë, si dhe 10 milionë euro pasuri.

Teksa hetimet ndaj Altin Hajrit janë pushuar nga autoritetet italiane, në kërkim ndërkombëtar për trafik droge vijon të jetë vëllai tjetër i tij, Emiljano Hajri.

Por, Policia shqiptare nuk i ka mbyllur llogaritë me Altin Hajrin, ndaj ka shtuar kërkimet ndaj tij. Burimet thonë se ai fshihet në një shtëpi të zonës, ndaj janë shtuar kontrollet. Madje, Hajri konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë dhe është i armatosur.

Thirrja në këtë rast lidhet me qytetarët, të cilëve jo vetëm u kërkohet ndihmë, por në të njëjtën kohë të shmangin ballafaqimin me të.

(Kosova Sot Online)