Marrëveshja VV-LDK, reagon Lumir Abdixhiku

  • 02 February 2020 - 10:38
Marrëveshja VV-LDK, reagon Lumir Abdixhiku

Pas arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje mes VV’së dhe LDK’së, është deklaruar edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Abdixhiku ka thënë se të dy palët po i japin Kosovës institucione që do t’i dalin vendit zot-brenda e jashtë vendit.

Përmes një postimi në llogarinë  e tij në Facebook, Abdixhiku a thënë se me Vetëvendosjen kanë më shumë ide që i bashkojnë sesa që i ndajnë dhe se kjo marrëveshje është vullneti i shumicës së votuesve që më 6 tetor folën qartë. 

“Bëmë marrëveshje sepse ky ishte vullneti qytetar; i shumicës së votuesve që me 6 tetor folën qartë. Bëmë marrëveshje sepse idetë që na bashkojnë janë më të shumta se sa ato që na ndajnë. E partnerët e matur e serioz, në kohë të vështira, zgjedhin gjuhën e rrugën bashkë. Të dy palët e duam një Kosovë të jetueshme, për vete, për fëmijët e për prindërit e tanë. Të dy palët po i japim Kosovës institucione që do t’i dalin vendit zot – brenda e jashtë”, ka shkruar Abdixhiku.

Kqa thënë se puna e vërtetë fillon tash dhe se që nga sot nuk guxojnë ta dëshpërojnë asnjë mbështetës.

”Kemi humbur kohë mjaft, por kemi ide të qarta përpara. Puna e vërtetë fillon tash. Nga sot, asnjërin mbështetës s’guxojmë ta dëshpërojmë, e secilin skeptik duhet ta bindim ndryshe. Kosova është e të gjithëve”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot Online)