12 vite pavarësi, këto janë dështimet më të mëdha të Kosovës

  • 16 February 2020 - 07:51
12 vite pavarësi, këto janë dështimet më të mëdha të Kosovës

“Konkretisht, edhe ky vit jubilar i pavarësisë së Republikës së Kosovës, karakterizohet me shumë dështime evidente për të cilat janë përgjegjëse qeveritë e deritashme. Ndër dështime, parregullsi, abuzime të shumta e më se të ndryshme në këtë rast do të veçoja: Administratën publike të stërfryrë e për aq inefikase dhe in efecientë të strukturuar në kundërshtim me Ligjin e Parkinsonit, Kosovën shtet juridik por jo shtet i së drejtës, rendin Juridik të Kosovës të ndërtuar në kundërshtim me Onomoteknikën, me vakuume juridike, me kundërthënie brenda ligjore e ndër ligjore, jo pak provizione juridike të pa sanksionuara si dhe të sanksionuara papërshtatshëm”, thotë Smaka për “Kosova Sot Online”.

Profesori i së drejtës dhe ish deputet i legjislaturës e cila para 12 vitesh e shpalli pavarësinë e Kosovës, Riza Smaka e kujton dhe ia banë një analizë të thellë shtetndërtimit të Kosovës për më shumë se një dekadë.

Profesor Samaka thotë se në këtë vit jubilar, do të dëshironte që të numëron një nga një sukseset e shtetit të Kosovës, por fatkeqësitë ato mungojnë. Prandaj në listën e tij të gjatë, është i detyruar që t’i numëron vetëm dështimet, pavarësisht se politika qeverisëse ajo që e kishim deri para pak ditësh, vazhdimisht është krenuar për të arriturat.

Image
Riza Smaka

“Vitet jubilare, zakonisht, shënohen me tone pompoze për arritjet e caktuara duke i vënë në hije dështimet evidente. Vlerësoj se do të duhej të ndryshohej qasja e radhitja e arritjeve dhe dështimeve të synimeve të projektuara. Konkretisht, edhe ky vit jubilar i pavarësisë së Republikës së Kosovës, karakterizohet me shumë dështime evidente për të cilat janë përgjegjëse qeveritë e deritashme. Ndër dështime, parregullsi, abuzime të shumta e më se të ndryshme në këtë rast do të veçoja: Administratën publike të stër fryrë e për aq inefikase dhe in efecientë të strukturuar në kundërshtim me Ligjin e Parkinsonit, Kosovën shtet juridik por jo shtet i së drejtës, rendin Juridik të Kosovës të ndërtuar në kundërshtim me Onomoteknikën, me vakuume juridike, me kundërthënie brenda ligjore e ndër ligjore, jo pak provizione juridike të pa sanksionuara si dhe të sanksionuara papërshtatshëm”, thotë profesor Smaka për “Kosova Sot Online”.

Një nga shtyllat e dështuara, sipas profesorit Smaka është fusha e arsimit, e që vazhdon të pasohet nga një mal dështimesh të tjera të shumta e të panumërta. 

“Shumë universitete publike e kolegje private por krejt pak cilësi në studime e pak rezultate praktike. Tolerimin ilegal të jo pak pedagogëve universitarë për të “punuar” njëkohësisht në disa universitete e kolegje private dhe ashtu për të improvizuar në mënyrë perverse procesin e ligjërimeve e ushtrimeve serioze të nevojshme, studimin në njësi akademike të pa profilizuara dhe të pa ndërlidhura ndërmjet teorisë e praktikës”, thekson profesor Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

Sipas Smakës, për këto 12 vite jemi dëshmitar edhe të krimit urbanistik e ambiental, ndotjen dhe degradimin tmerrues të ajrit, si dhe ujit e ambientit.

“Pastaj sistemi i pagave i pa harmonizuar e irracional dhe aplikimin selektiv e neglizhent të jo pak provizioneve juridike në fuqi, duke mos përjashtuar edhe mega abuzimin me mjetet financiare e materiale publike”.

Abuzimi me ligjin, sipas profesorit Smaka, ka krijuar pasanik me krim e me korrupsion, si dhe pasurimin enorm ilegal të të funksionarëve publikë në dëmin e pasurisë shtetërore e parasë së qytetarëve.

“Për këto 12 vjet, sidomos në dy mandatet e fundit ka shënuar lëvizje mbrapa edhe në politikën e jashtme. Tërheqjen e njohjeve të Kosovës për shtet të pavarur deri tani mbase të 17 shteteve, votimin e Marrëveshjes për Kufirin e Kosovës e Malit të Zi me të cilën Kosova është copëtuar e rrudhur për mbi 8000 hektarë si dhe tentativën për mashtrimin e opinionit publik se ai dështim “do të ndreqet”!”, thekson Smaka për “Kosova Sot Online”.

Për fund, Smaka shprehet se dështimi i shtetit ka zhgënjyer qytetarët të cilët po vazhdojnë ta braktisin vendin, sidomos të rinjtë.

“Emigrimi i të rinjve e të rejave kah këmbët koka për shkak të dëshpërimeve e zhgënjimeve me abuzimet e favoreve pushtetarë të jo pak titullarëve të funksioneve publike, dështimin e realizimit të liberalizimit të vizave, të sigurimit e mbrojtjes shëndetësore, invalidore e pensionale, investimin e parasë së pistë në jo pak projekte nebuloze e të pista. Ka edhe jo pak dështime abuzive tjera, dhe le të shpresojmë në Qeverinë aktuale që, nëse jo të gjitha, atëherë shumicën e këtyre dhe të tjerave parregullsi t’i korrigjojë dhe evitojë në një anë si dhe të ndërmerr masa e veprime konkrete në favorin e konstitucionalizmit, legalitetit, shtetit të së drejtës e mirëqenies së përgjithshme në vendin tonë”, përfundon profesor Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)