Edi Rama jep një lajm pozitiv për njohjen e patentave nga Gjermania

  • 16 February 2020 - 10:57
Edi Rama jep një lajm pozitiv për njohjen e patentave nga Gjermania

Kryeministri Edi Rama kërkoi pak durim nga shqiptarët për procesin e njohjes së patentave, ndërsa shtoi se në Gjermani kanë vlerësuar përparimet e bëra në shërbimet digjitale.

“Një lajm i mirë për miqtë e kësaj faqeje që presin njohjen e patentave të drejtimit të makinave të tyre në Gjermani. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, bisedova edhe me Ministrin Federal të Transporteve, i cili më tha, citoj, ‘Misioni ynë teknik në Tiranë është befasuar nga transformimet që keni kryer në Drejtorinë e Transportit Rrugor, përmes digjitalizimit të shërbimeve! Zgjidhjet e reja digjitale që keni realizuar janë origjinale dhe bindëse për t’i përcjellë Qeverisë Federale një opinion pozitiv’”, shkroi ai në profilin e tij në Facebook. 

Kreu i qeverisë sqaroi se aprovimi i shumëpritur i njohjes së patentave shqiptare kalon përmes të 16 parlamenteve të landeve të Republikës Federale të Gjermanisë dhe kjo do të kërkojë pak kohë.

“Por ndërkohë çdo aprovim bën që në landin përkatës njohja të hyjë në fuqi menjëherë. Pak durim tanimë, se provimin e kemi kaluar me sukses dhe ky është një fakt që na inkurajon shumë për vazhdimin e #RevolucionitDigjital2020. Një bravo të madhe ekipit drejtues të DPSHTRRSH që po e transformon çdo ditë atë strukturë nga një vatër korrupsioni legjendar, në një mekanizëm shtetëror në shërbim të qytetarëve”.

(Kosova Sot Online)