Ia dëmtuan pjeshkat amerikanit, dy kompani gjermane gjobiten me 265 milionë dollarë

  • 17 shkurt 2020 - 15:00
Ia dëmtuan pjeshkat amerikanit, dy kompani gjermane gjobiten me 265 milionë dollarë

Gjiganti gjerman për prodhimin e substancave kimike, Bayer, pritet të paraqesë ankesë në një gjykatë amerikane në Missouri pas vendimit për dëmshpërblim prej 265 milionë dollarëve për një kultivues të pjeshkave, i cili u ankua se produktet e kompanisë gjermane ia dëmtuan të mbjellat.

Amerikani Bill Bader i paditi kompanitë Bayer dhe BASF me pretendimin se produkti kimik dicamba kishte rënë mbi pjeshkat e tij prej fushave të tjera dhe i ka shkatërruar ato.

Ky vendim ishte i pari në mesin e rreth 140 rasteve në gjykatat amerikane, ku janë paraqitur ankesa kundër këtij produkti për dëmtimin e të mbjellave.

Megjithatë, kompania gjermane ka thënë se produktet e saj nuk paraqesin rrezik, nëse përdoren në mënyrën e duhur, shkruan “BBC”.

Gjiganti amerikan i substancave kimike, Monsanto, i blerë nga kompania Bayer për 63 miliardë dollarë në vitin 2018, e shet produktin dicamba në tregun amerikan.

Paditë kundër këtij produkti mund t’i kushtojnë kompanisë gjermane miliarda dollarë si rezultat i dëmshpërblimeve që duhet t’i paguajë.

Përmes një deklarate të publikuar të hënën, kompania Bayer tha se nuk pajtohet me vendimin e gjykatës dhe është shumë e zhgënjyer me këtë vendim.

(Kosova Sot Online)