Kina publikon rezultatet e studimit: Koronavirusi më i rrezikshëm për të moshuarit dhe të sëmurët

  • 18 February 2020 - 08:27
Kina publikon rezultatet e studimit: Koronavirusi më i rrezikshëm për të moshuarit dhe të sëmurët

Zyrtarët shëndetësorë në Kinë i kanë publikuar të dhënat e para nga hulumtimi i më shumë se 70 mijë rasteve të koronavirusit. Ky është studimi më i madh prej paraqitjes së virusit të ri.

Sipas të dhënave të Qendrës Kineze për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, më shumë se 80 për qind e personave të infektuar nuk kanë qenë në rrezik për jetën. Koronavirusi është treguar më i rrezikshëm për personat e moshuar dhe për ata që vuajnë nga sëmundje të tjera.

Bazuar në këtë hulumtim, shkalla e vdekshmërisë së personave të infektuar me koronavirus është vetëm 2.3 për qind.

Rreth 81 për qind e rasteve u cilësuan si të lehta, 14 për qind si të rënda dhe vetëm 5 për qind si raste kritike, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Në 24 orët e fundit, në Kinë u regjistruan 98 vdekje të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 1868, ndërsa u konfirmuan edhe 1886 raste të reja të infektimeve, duke e çuar shifrën e përgjithshme në 72 mijë e 436 persona.

Autoritetet kineze kanë thënë që më shumë se 12 mijë persona të infektuar me koronavirus tashmë janë shëruar plotësisht.

(Kosova Sot Online)