Profesori i njohur kritikon ashpër Albin Kurtin, e akuzon rëndë edhe Hashim Thaçin

  • 18 February 2020 - 13:04
Profesori i njohur kritikon ashpër Albin Kurtin, e akuzon rëndë edhe Hashim Thaçin

“Dështimet e shumta të Kosovës, duke pasur parasysh këtu edhe mos njohjen nga shumë shtetet që nuk e kanë bërë këtë, por edhe mos anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe OKB-në, ja atribuoj si “meritë” kastës politike të kryesuar e të drejtuar nga Hashim Thaçi, por pa i amnistuar dhe përjashtuar as partitë tjera politike sipas fuqisë dhe përgjegjësisë politike, por fuqinë më të madhe e kishte Hashim Thaçi me PDK-në , prandaj ky është krye fajtori kryesor për dështimin e Kosovës”, thotë Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë e kanë përcjellë me kujdes dhe vëmendje të posaçme se si e festoi Kosova ditëlindjen e 12-të të pavarësisë, pa ndonjë entuziazëm të madh qytetar dhe krejtësisht me disa agjenda simbolike protokollare.

Profesori universitar, doktor Jeton Kelmendi e ka cilësuar këtë manifestim ndër më të zbehtit të që nga shpallja e pavarësisë së shtetit të Kosovës, duke konstatuar se këto vite që po mbeten prapa, ishin 12 vite të shtetësisë jo në forcim, por vendnumërim dhe dështim, korruptim dhe kriminalizim i institucioneve.

Prandaj sipas Kelmendit, kjo është e vërteta për Kosovën, shumë larg pritjeve të qindra e mijëra qytetarëve, që sot në këtë përvjetor në vend se të jenë të gëzuar, janë me hidhërim dhe të dëshpëruar, dhe mezi presin t'u jepet mundësia për ta braktisur Republikën.

Image
Jeton Kelmendi

“Mendoj se kasta politike e Kosovës i ka mbetur qytetarit borxh për gjithçka në këtë përvjetor të 12 të pavarësisë së shtetit. Në vend se Kosova tani do të duhej të ishte edhe kandidat për anëtarësim në BE, Kosova ka mbetur aq mbrapa sa që nuk e ka as liberalizimin e vizave dhe nuk ka arritur ta bëjë as edhe një hap të vetëm drejtë integrimit në BE. Kosova në këtë kohë do të duhej të funksiononte si një demokraci e mirëfilltë, sepse është shtet i krijuar me një monitorim dhe mentorim ndërkombëtar, këtu dështimi nuk është vetëm i kastës politike kosovare por edhe i mekanizmave ndërkombëtar, duke përfshirë këtu edhe EULEX-in dhe vetë rolin e zbehtë dhe tërësisht të dështuar të zyrës së BE-së, sepse të gjithë së bashku janë përgjegjës që nuk arritën ta eliminojnë korrupsionin, dhe korrupsioni ka arritur dhe prekur nivelin më të lartë të mundshëm në të gjitha fushat e jetës”, thotë doktor Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, dështimi është i madh edhe në planin e politikës së jashtme, gjë që e bënë po ashtu qytetarin e Kosovës të mos jetë shumë i entuziazmuar në këtë 12 vjetor të shpalljes së pavarësisë. 

“Dështimet e shumta të Kosovës, duke pasur parasysh këtu edhe mos njohjen nga shumë shtetet që nuk e kanë bërë këtë, por edhe mos anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe OKB-në, ja atribuoj si “meritë” kastës politike të kryesuar e të drejtuar nga Hashim Thaçi, por pa i amnistuar dhe përjashtuar as partitë tjera politike sipas fuqisë dhe përgjegjësisë politike, por fuqinë më të madhe e kishte Hashim Thaçi me PDK-në , prandaj ky është krye fajtori kryesor për dështimin e Kosovës”, shton Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Kjo kastë politike e korruptuar, sipas Kelmendit është përgjegjëse edhe për organizimin e dobët dhe shumë të varfër të përvjetorit të 12 të shënimit të pavarësisë së Kosovës, ngase në mandatet e kaluar shpenzoheshin me miliona euro.

“Mendoj se edhe kjo që po ndodhë tani nuk i ka hije, sepse këto manifestime janë shumë të zbehta dhe shumë sipërfaqësore, sepse Qeveria Kurti ka shkuar prej një ekstremi në një ekstrem tjetër. Duke u krahasuar me shpenzimet e qeverisë Haradinaj që nuk e kursente fare buxhetin e shtetit, e që shpenzonte sa më shumë, madje paguante disa fotoreporter me mijëra euro për një ditë, kryeministri Kurti shkon deri në atë ekstrem sa që e bllokon krejt manifestimin, dhe manifestimi është aq i varfër sa që gjithçka duket si të jetë një ditë e zakonshme. Kjo sipas mendimit tim tregon se logjika e politikbërësve tanë akoma nuk është logjikë shtet formuese, dhe nuk po dinë as ata dhe as këta që të sillen si burrështetas por po sillen sikur do farë kapadaijësh të cilët kinse janë baballarë të kësaj lirie dhe pronar të këtij shteti, duke mohuar të gjithë të tjerët, duke mohuar njëra palë kontributin e tjetrit se kinse nuk kanë bëra asgjë, se gjithçka fillon prej këtyre”, përfundon profesori universitar, doktor Jeton Kelmendi për “Kosova Sot Online“.

(Kosova Sot Online)