Thaçi kujton Rambujenë me foton me Rugovën: Ta ruajmë unitetin politik

  • 23 shkurt 2020 - 13:12
Thaçi kujton Rambujenë me foton me Rugovën: Ta ruajmë unitetin politik

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka kujtuar unitetin e treguar të lidershipit kosovar në Konferencën e Rambujesë.

Thaçi ka thënë se në këtë ditë kujtojmë të gjithë heronjtë e rënë në luftë dhe përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, veçanërisht të ShBA-së dhe partnerëve tjerë euroatlantikë.

Edhe sot, në kapitullin e ri për integrim në NATO dhe BE, Thaçi ka thënë se si asnjëherë më parë në Kosovë kërkohet ta ruajmë unitetin e brendshëm politik e qytetar dhe të ecim përpara bashkë me miqtë ndërkombëtarë. 

“Në Rambuje, 21 vjet më parë, Kosova për herë të parë foli dhe vendosi për vetveten. Pas negociatave rraskapitëse, tri javore, delegacioni ynë i ofroi bashkësisë ndërkombëtare pajtueshmëri në parim për marrëveshjen e negociuar. Shteti i Serbisë, paralelisht me gjenocidin që kryente në Kosovë, refuzoi mundësitë për arritjen e marrëveshjes për paqe. Pas konsultimeve dhe marrjes së pëlqimit nga populli i Kosovës, marrëveshja në mes palës kosovare dhe bashkësisë ndërkombëtare zyrtarisht u nënshkrua në muajin mars, në Paris. Kosova u radhit në anën e drejtë të historisë, në bashkësinë e popujve që ndajnë vlerat dhe parimet e civilizimit perëndimor. Pas kësaj ndodhi intervenimi i NATO-s dhe fituam lirinë, para se të bëhemi shtet. Kosova, për 12 vjet pavarësi ka arritur më shumë se cilido shtet tjetër. Në këtë ditë kujtojmë të gjithë heronjtë e rënë në luftë dhe përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, veçanërisht të SHBA-së dhe partnerëve tjerë euroatlantikë. Edhe sot, në kapitullin e ri për integrim në NATO dhe BE, si asnjëherë më parë, në Kosovë kërkohet ta ruajmë unitetin e brendshëm politik e qytetar dhe të ecim përpara bashkë me miqtë ndërkombëtarë”, ka shkruar presidenti Thaçi.

(Kosova Sot Online)