Bie alarmi për Qeverinë e Kosovës, paralajmërohet një eksod i ri?

  • 26 February 2020 - 08:00
Bie alarmi për Qeverinë e Kosovës, paralajmërohet një eksod i ri?

“Qeveria e re duhet të ndërhyj për ta parandaluar pak a shumë këtë eksod. Formimi i fondeve për investime do të bënte që një pjesë e qytetarëve të rrinin në Kosovë. Shpëtimi është tek investimi i bizneseve start-up. Nëse zvarritet formimi i këtyre fondeve, Kosova do të ngelet një shtet fantazme. Ndërhyrja është emergjente”, thotë Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Analistët dhe njohësi e zhvillime politike në vend, po e shohin si një situatë të disfavorshme për Kosovën liberalizimin e tregut të punës në Gjermani, me ligjin e ri i cili hyn në fuqi nga marsi i këtij viti.

Ky ligj, krijon mundësi të punësimit të punëtorëve të profileve të ndryshme të kualifikuara që i nevojiten tregut gjerman të punës.

Sipas njoftimit të ambasadës së Gjermanisë, më 1 mars pritet të hyjë në fuqi Ligji për Fuqinë Punëtore të Kualifikuar, i cili rregullon në hyrjen e tyre në Gjermani nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.

Sipas Ligjit, për herë të parë mund të shkosh në Gjermani edhe me një vizë gjashtëmujore për të kërkuar punë duke i mbuluar personalisht shpenzimet për këtë periudhë.

Përveç kësaj, të rinjtë nën moshën 25 vjeç që kanë mbaruar shkollën, mund të shkojnë për të kërkuar një vend kualifikimi për deri në gjashtë muaj, nëse matura e tyre i kualifikon për shkollë të lartë, nëse njohin gjermanishten në nivelin B2 dhe e sigurojnë vetë jetesën në këtë kohë.

Ambasada gjermane në Prishtinë me anë të një njoftimi tregon disa nga detajet e këtij Ligji dhe procedurën e aplikimit për vizë.

“Si fuqi punëtore e kualifikuar konsiderohen të diplomuarit në universitete si dhe personat me një kualifikim në arsimin profesional që njihet në Gjermani. Punësimi është i mundur vetëm në atë profesion për të cilin keni marrë më parë kualifikimin përkatës...”, thuhet në njoftim.

E lidhur me këtë lehtësi që krijohet për kuadrot e kualifikuar në vend, dhe kërkesat e mëdha të tregut gjerman të punës, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti politik, Faik Krasniqi.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi kërkon nga Qeveria që pa vonesë të investojë në projekte zhvillimore të krijimit të vendeve të reja të punës në Kosovë, për të shmangur një eksod të pa kontrolluar të rinisë së kualifikuar për në tregun gjerman.

“Është i pashmangshëm migrimi legal i qytetarëve të Kosovës drejt Gjermanisë. Me ligjin e ri do të filloje zbrazja e madhe. Për këtë gjë kemi qenë të vetëdijshëm të gjithë. Më së shumti politika që ka vrarë shpresën e qytetarëve të këtij vendi. Politika që ka shkatërruar çdo gjë në këtë vend, në mënyrë që ata dhe servilët e tyre të jetojnë si mbretër. Këtë eksod e kam paralajmëruar para më shumë se një dekade. Kosova do të mbetet pa intelektual, pa rini, pa mjek, pa infermier. Madje edhe pa punëtor fizik”, thotë analisti politik Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online” .

Krasniqi shton se urgjenca e ndërhyrjes së Qeverisë me masa preventive, më shumë se kurrë tani më është tepër e domosdoshme.

“Qeveria e re duhet të ndërhyj për ta parandaluar pak a shumë këtë eksod. Formimi i fondeve për investime do të bënte që një pjesë e qytetarëve të rrinin në Kosovë. Shpëtimi është tek investimi i bizneseve start-up. Nëse zvarritet formimi i këtyre fondeve, Kosova do të ngelet një shtet fantazme. Ndërhyrja është emergjente”, përfundon analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)