Reagon ashpër Grenell: SHBA nuk e mbështet, Albini po bën gabim serioz

  • 28 February 2020 - 07:33
Reagon ashpër Grenell: SHBA nuk e mbështet, Albini po bën gabim serioz

Qeveria e Kosovës, gjatë javës së ardhshme do të marrë vendim që nga data 15 mars, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Këtë e ka konfirmuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media.

Por, këto masa, të cilat çojnë hap pas hapi deri te heqja e taksës me kushte të caktuara, nuk janë mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell në një postim në Twitter, ka shkruar se “nuk i mbështetë masat gjysmake të kryeministrit Kurti”.

“Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të hiqen plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz – dhe kjo i është bërë sot e qartë presidentin Hashim Thaçi në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Grenell.

 

E kujtojmë se mbrëmë Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që tarifa për lëndën e parë që vjen në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja, të hiqet nga data 15 mars, shkruan "Kosova Sot Online". 

"Nga 15 mars të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnia e Hercegovina. Kjo si shenjë për gatishmëri për marrëveshjen ekonomike tregtare me Serbinë. Ftojmë Serbinë që të zotohet që ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës", u shpreh Kurti.

E nëse Serbia vazhdon fushatën miqësore, atëherë nga data 1 prill tarifa do të hiqet tërësisht për një periudhë 90 ditëshe.

“Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në këtë fushatë miqësore, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, do ta heqë tërësisht tarifën për një periudhë 90 ditëshe”, ka thënë Kurti.

Poashtu,  kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencë për media i ka dhënë afat BE-së për liberalizimin e vizave.

“Ta vlerësoj lartë heqjen e taksës dhe të ofroj liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit me 7 maj. BE’ja ta zhvillojë lartë këtë veprimin tonë, duke filluar liberalizimin e vizave. Në rast se Serbia nuk e përfillë vullnetin e Qeverisë së Kosovës për eliminim e barrierave ekonomike, atëherë Qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill do të nisë me implementimin e reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e më pas në fushën ekonomike e politike”, u shprehë Kurti.

“Nëse pala serbe nuk reflekton përsëri, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qeshor do ta rikthejë tarifën përsëri. Reciprociteti i plotë tregtar instalohet pas 15 qeshorit”, shtoi Kurti

(Kosova Sot Online)