Presioni amerikan për taksën: Kthehen takimet Kurti – Mustafa, shihen sot

  • 28 February 2020 - 15:44
Presioni amerikan për taksën: Kthehen takimet Kurti – Mustafa, shihen sot

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti do të mbajë sot një takim urgjent me të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën, pas përplasjeve publike që i patën dy partnerët e koalicionit, shkaku i taksës. Lajmin për media e kanë konfirmuar nga të dy partitë. 

Propozimi që dje bëri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për punën e taksës dhe reciprocitetit, e kushtet që i vuri Serbisë, BE-së, e Shteteve të Bashkuara, nga LDK-ja thanë që u bënë pa koordinim të partnerëve të koalicionit.

Për këtë arsye, sot gjatë ditës, dy partnerët e koalicionit, LV-ja dhe LDK-ja do të mbajnë një takim urgjent ku do të flasin lidhur me hapat që do të marrin lidhur me këtë masë, gjithashtu, edhe nëse do të vazhdohet me reciprocitet.

Kështu kanë konfirmuar për media burime  brenda dy partive politike.

Nga LDK-ja të pranishëm do të jetë, kreu i partisë, Isa Mustafa, zëvendëskryeministri Avdullah Hoti dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, derisa nga Vetëvendosje, kryeministri Albin Kurti dhe anëtarë të kabinetit qeveritar.

VV dje ka propozuar heqje të pjesshme të taksës së vendosur për produktet serbe dhe boshnjake, derisa, këtë nuk e kanë pranuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë reaguar përmes të dërguarit në dialog, Richard Grenell.

Ndryshe ndërkaq janë deklaruar në Bashkimin Evropian.

(Kosova Sot Online)