Sot mbahet rigjykimi për rastin e sulmit në objektin e Kuvendit të Kosovës

  • 04 mars 2020 - 08:24
Sot mbahet rigjykimi për rastin e sulmit në objektin e Kuvendit të Kosovës

Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi sot do të paraqiten para Gjykatës Themelore në Prishtinë për t’u përballur me akuzat për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës në gushtin e vitit 2004

Edhe pse në vitin 2017 të njëjtit ishin shpallur fajtorë duke u dënuar me gjithsej 21 vite e 6 muaj burgim, Apeli mori për bazë ankesat duke e rikthyer lëndën në rigjykim për shkak se gjeti shkelje ligjore gjatë aktgjykimit në shkallën e parë.

Për të njëjtin rast ishte arrestuar edhe Astrit Dehari, ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili më pas u gjet i vdekur në qelinë e tij në Prizren aty edhe ku po mbahej.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ka kualifikuar ngjarjen si vepër terroriste.

Për të njëjtin rast, në shkurt të vitit 2018 ishte mbledhur edhe Kuvendi i Kosovës duke dalë me rekomandime që të mundësohet një hetim i plotë dhe i pavarur i ngjarjes.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se të akuzuarit kanë vepruar si grup dhe më datë 4 gusht 2016, rreth orës 23 e 05 nga parkingu përballë Kuvendit me raketahedhës dore kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

E gjithë kjo në mënyrë që Kuvendi i Kosovës të mos ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

Sipas Prokurorisë ka pasur edhe qëllim që të shkaktojnë frikësimin serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës se pasigurisë për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)