Arsyeja banale e cila i shtyri të burgosurit e Dubravës të rrihen mes vete

  • 05 March 2020 - 13:19
Arsyeja banale e cila i shtyri të burgosurit e Dubravës të rrihen mes vete

Një mosmarrëveshje mes të burgosurve ka ndodhur mbrëmë rreth mesnatës në Burgun e Dubravës. Konflikti verbal mes tre të dënuarve ka përfunduar me rrahje.

Detaje se si ka ndodhur i gjithë rasti kanë dhënë në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Zëdhënësi i SHKK’së, Florent Gashi i ka thënë medias se arsyeja e kësaj përleshje kanë qenë cigaret.

“Arsyet e rrahjes, sipas të burgosurve, për shkak të cigareve, duke akuzuar njeri tjetrin se i janë marrë cigaret pa leje”, ka deklaruar Gashi.

Sipas Gashit, në këtë incident kanë qenë të përfshirë një 31-vjeçar, i cili është i dënuar për narkotik, një 24-vjeçar i dënuar për vjedhje të rëndë dhe një 21-vjeçar, i cili gjendet në vuajtje të dënimit për grabitje.

“Rasti ka ndodhur me 03.03.2020, rreth orës 23:55h. Të përfshirët në këtë incident janë: K.K (1989); vepra: Narkotik; F.H, (1996); vepra: Vjedhje e rëndë; dhe F.L,(1998); vepra: Grabitje”, thuhet në përgjigjet e Gashit drejtuar medias.

Ndryshe, për rastin ka njoftuar fillimisht Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.

“Raportohet se brenda në objektin e Burgut të Dubravës pas një mosmarrëveshje, dy të dyshuar të burgosur meshkuj kosovarë e kanë sulmuar fizikisht të burgosurin tjetër viktimën mashkull kosovar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raport.

Aktualisht në burgjet dhe qendrat e paraburgimit në Kosovë janë 1 mijë e 767 persona.

(Kosova Sot Online)