Ekspertët mohojnë se moti i ngrohtë do ta parandalojë koronavirusin

  • 09 mars 2020 - 11:01
Ekspertët mohojnë se moti i ngrohtë do ta parandalojë koronavirusin

Në kohën kur koronavirusi po vazhdon të përhapet në tërë botën, disa udhëheqës vazhdimisht kanë thënë se për të ekziston një zgjidhje e thjeshtë: Temperaturat e larta do ta pengojnë përhapjen. Megjithatë, ekspertët kanë mendim tjetër.

Mjekët e sëmundjeve ngjitëse nuk besojnë se koronavirusi Covid-19 do të marrë fund me ardhjen e verës, ndonëse viruset në përgjithësi përhapen më shumë gjatë dimrit dhe më vështirë mbijetojnë në temperatura të larta.

Dr.Nancy Messonnier nga Qendra për Kontrollim dhe Parandalim të Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara nuk beson që numri i rasteve do të zvogëlohet pas ngrohjes së motit. “Unë mendoj se është papjekuri që të bëhet një vlerësim i tillë”, tha ajo gjatë një paraqitjeje para gazetarëve.

Edhe ekspertët e tjerë shëndetësorë, me të cilët bisedoi revista “Time”, pajtohen se është shumë herët që të thuhet nëse moti më i ngrohtë do të ndikojë në pengimin e përhapjes së koronavirusit, shkruan “Time”, transmeton Gazeta Express.

McGraw nga Universiteti Shtetëror i Pensilvanisë thotë se do të ketë shumë faktorë që do ta përcaktojnë kohën dhe mënyrën e zhdukjes së koronavirusit. “Shkalla e përhapjes, efikasiteti i praktikave për kontrollin e infektimeve, moti dhe imuniteti i njerëzve do të kenë rolë në përcaktimin e së ardhmes së virusit”, tha ajo.

Për më tepër, për shkak të faktit se virusi Covid-19 është i ri, profesori John Nicholls nga Universiteti i Hong Kongut thotë se popullsia nuk ka imunitet natyror dhe për këtë arsye të gjitha parashikimet janë të pavlefshme.

Një arsye tjetër për të mos i besuar shumë motit të ngrohtë për luftimin e virusit të ri është edhe fakti se ai është përhapur edhe në hemisferën jugore, përfshirë Australinë dhe Brazilin, ku temperaturat janë të larta në këtë periudhë të vitit.

(Kosova Sot Online)