Në SHBA rritet numri, mbi 1000 raste të koronavirusit

  • 11 March 2020 - 10:47
Në SHBA rritet numri, mbi 1000 raste të koronavirusit

Numri i përgjithshëm i personave të infektuar me koronavirus në Shtetet e Bashkuara e ka kaluar shifrën 1000 të martën në mbrëmje. Raste të infektimeve deri më tani janë konfirmuar në 38 nga 50 shtetet apo në 76 për qind të tyre.

Shumë tubime dhe ngjarje të ndryshme janë anuluar në pjesë të caktuara të Shteteve të Bashkuara pasi zyrtarët shëndetësorë këshilluan që të shmangen grumbullimet e mëdha të njerëzve. Deri më tani, 28 persona kanë vdekur.

“Do të donim që vendi të kuptonte se nuk mund t’i bëjmë gjërat që i kemi bërë para disa muajve”, tha Dr.Anthony Fauci nga Instituti Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Ngjitëse, shkruan “Fox News”, transmeton Gazeta Express.

Ai iu referua udhëzimeve të Shtëpisë së Bardhë, me të cilat bëhet thirrje që njerëzit t’i pastrojnë duart rregullisht dhe t’i shmangin përshëndetjet me shtrëngim të duarve. Këshillohet edhe mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes si dhe të mos preket fytyra me duar.

Organet e shëndetësisë në zonat ku janë konfirmuar rastet po mundohen t’i identifikojnë të gjithë njerëzit që kanë pasur kontakte së fundi me personat e infektuar.

Pavarësisht përhapjes së virusit Covid-19 në Shtetet e Bashkuara, presidenti Donald Trump ka thënë se situata është nën kontroll dhe ka mohuar se vetë është testuar për virus.

(Kosova Sot Online)