Krasniqi: U caktua seancë e jashtëzakonshme, do të flasim për rrezikimin e raporteve me Amerikën

  • 11 March 2020 - 13:01
Krasniqi: U caktua seancë e jashtëzakonshme, do të flasim për rrezikimin e raporteve me Amerikën

Nënkryetari i Kuvendit, Memli Krasniqi, ka njoftuar se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit është caktuar mbajtja e seancës së jashtëzakonshme në orën 15:00, me kërkesë të opozitës.

Zyrtari i lartë i PDK’së thotë se në seancën e sotme do të diskutohet për raportet me SHBA’në që, sipas tij, po i rrezikon Qeveria.

“Në orën 15 do të mbahet seancë e jashtëzakonshme. Një debat parlamentar ku do diskutohet rrezikimin e marrëdhënieve që kjo Qeveri është duke i shkaktuar me partnerin më strategjik të Republikës së Kosovës, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Krasniqi.

Ai thotë se raportet me SHBA’në nuk kanë qenë asnjëherë më keq dhe se e konsideron katastrofike paralajmërimin e heqjes së trupave amerikane nga Kosova.

“Kjo paraqet pikën më të ulët të raporteve tona me SHBA’në prej që ekziston shteti jonë, bile edhe para kësaj. Nuk mund të qëndrojmë duarkryq ndaj këtyre zhvillimeve pothuajse katastrofike. Për të parandaluar një katatrofë, sepse unë e konsideroj katastrofë nëse tërhiqen trupat amerikanë, kemi vendosur ta ftojmë Qeverinë dhe Kuvendit për të diskutuar”, tha nënkryetari i Kuvendit. 

(Kosova Sot Online)