Konjufca: Të gjitha burimet thonë se nota verbale e Sierra Leone është e vërtetë

  • 11 March 2020 - 14:00
Konjufca: Të gjitha burimet thonë se nota verbale e Sierra Leone është e vërtetë

Ministri i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca është duke raportuar sot në Komisionin për Punë të Jashtme ku ka folur edhe për tërheqjen e njohjes nga Sierra Leone.

Konjufca ka deklaruar se janë interesuar për të parë vërtetësinë e notës verbale që e ka prezantuar Serbia, ku ka deklaruar se sipas të gjitha rasteve ajo nuk është e falsifikuar.

“Sa i përket Sierra Leonës ne jemi interesuar së pari për autenticiteti, deri më tani të gjitha burime profesionale që i posedojmë, sipas të gjitha gjasave është e vërtetë. Nuk e kemi në dorë, por, sipas burimeve tona ajo notë verbale është e tillë”, ka thënë ai.

Ministri i Jashtëm thotë se ministri Ivica Daçiq është duke e keqpërdorur dialogun e Brukselit.

“Për ne çka është me rëndësi, për ne ajo notë verbale është argumenti më i qëndrueshëm, sepse është thënë në mënyrë eksplicite që ministri i jashtëm serb është duke e keqpërdorur dialogun e Brukselit. Sepse aty thotë se Sierraa Leone deklarohet se i është thënë prej Serbisë që pavarësia ka qenë e parakohshëm se janë duke folur për statusin e kështu me radhë, pra Serbia e ka gënjyer Sierra Leone që Kosova me Serbinë janë duke diskutuar për statutin e Kosovës”, shton, teksa thotë se Daçiq po mashtron e duhet me dhënë llogari për këtë.

“Ja thash edhe ministrit Daçiq në samitin e Shkupit që ky është mashtrim, për të cilat ata duhet të japin përgjegjësi. Tek e fundit kur ja ka fillu dialogu në mars, Serbia vetë është pajtu që ky nuk është dialog për statusin, sepse ai është kry në Vjenë dhe është përmbyllë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Dialogu e ka emrin e saktë, është dialog për normalizim, ato pjesët e tjera që ekzistojnë jashtë kësaj dhe pjesët tjera të fushave në Kosovë që Serbia nuk i njeh, p.sh energjia, lëvizja e njerëzve, mallrave për të cilat ne kemi 33 marrëveshje me Serbinë”, shton ai.

(Kosova Sot Online)