Gjermania i mbyll kufijtë me Francën, Austrinë dhe Zvicrën

  • 16 March 2020 - 11:42
Gjermania i mbyll kufijtë me Francën, Austrinë dhe Zvicrën

Gjermania është bërë shteti më i ri që ka vendosur t’i mbyllë kufijtë si përpjekje për ta parandaluar përhapjen e mëtejve të virusit Covid-19. Shteti gjerman i mbylli kufijtë me Francën, Austrinë dhe Zvicrën.

Sidoqoftë, vendimi për mbylljen e kufirit do të vlejë vetëm për udhëtarët, ndërsa transporti i mallrave do të vazhdojë të kryhet si më parë.

Përpos masave për kufijtë, Gjermania i ka mbyllur edhe shkollat, ndërsa në Berlin janë mbyllur kafenetë, klubet e natës dhe qendrat e fitnesit. Janë ndaluar në tërë territorin e shtetit tubimet e mëdha.

Deri më tani, në Gjermani me koronavirus janë infektuar gati pesë mijë persona dhe 12 kanë vdekur, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Raportohet se Gjermania është futur në një luftë diplomatike me Shtetet e Bashkuara pas përpjekjes së presidentit amerikan, Donald Trump, për të siguruar qasje ekskluzive në vaksinën e mundshme që do të mund të zbulohej nga një kompani gjermane.

Sipas të dhënave më të reja të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 164 mijë persona janë infektuar dhe 6 mijë e 470 kanë vdekur nga koronavirusi në mbarë botën.

(Kosova Sot Online)