Shkon në mbi 800 mijë shifra globale e të infektuarve me koronavirus

  • 31 March 2020 - 15:36
Shkon në mbi 800 mijë shifra globale e të infektuarve me koronavirus

Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në mbarë botën ka shkuar në mbi 800 mijë.

Në databazën e këtij universiteti figurojnë 801 mijë e 400 njerëz të infektuar me koronavirus dhe 38 mijë e 743 të vdekur në 178 shtetet dhe territore në mbarë botën.

Për fat të mirë, mbi 172 mijë njerëz tashmë janë shëruar dhe janë liruar nga spitalet, më së shumti prej tyre në kinë e pastaj në Spanjë dhe në Gjermani.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbesin në pozitën e parë për numrin më të lartë të infektimeve me 164 mijë të infektuar. Pas tyre ndodhen Italia me mbi 101 mijë raste dhe Spanja me mbi 94 mijë të infektuar, shkruan “Anadolu”, transmeton Gazeta Express.

Sa i përket numrit të viktimave, në vendin e parë ndodhet Italia me 11591 të vdekur, në vendin e dytë është Spanja me 8189 viktima dhe në të tretin Kina me 3187 vdekje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se koronavirusi është ende larg fundit në Azinë Lindore, pavarësisht uljes së numrit të rasteve në Kinë, ku filloi të përhapej së pari.

Për më tepër, Banka Botërore ka thënë se miliona njerëz do të mbesin në varfëri në këtë rajon për shkak të ndikimit negativ të pandemisë në ekonomi.

(Kosova Sot Online)