Gripi spanjoll, si u veprua me karantinën dhe ekonominë, flasin ekspertët

  • 07 April 2020 - 13:19
Gripi spanjoll, si u veprua me karantinën dhe ekonominë, flasin ekspertët

Nuk na duhet të zgjedhim: Studimet nga gripi spanjoll tregojnë se distancimi social dhe një ekonomi e fortë shkojnë dorë për dore bashkë. Ekspertët i përgjigjen pyetjeve.

Teksa qytetet dhe shtetet rreth e rrotull globit kanë marrë masa të paprecedente distancimi social për të ngadalësuar shpërndarjen e pandemisë së koronavirusit, shumica e ekonomisë botërore ka ndalur, duke ngritur shqetësime tek shumë njerëz për atë çfarë i pret.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar për një lehtësim të kufizimeve duke shkruar një status në Twitter. “NE NUK MUND TË LEJOJMË QË KURA TË NA DËMTOJË MË SHUMË SE VETË PROBLEMI.” Gazetari i New York Times Thomas Friedman nënvizoi që një plan mund ta “rikthente në punë Amerikën” duke u motivuar nga këto pyetje: “Prit pak ! Çfarë po i bëjmë vetes? Po ekonomisë tonë?” Në Fox News, Dan Patrick guvernatori toger i Teksasit e çoi këtë argument në ekstrem, duke theksuar që ata mbi 70 vjeç duhet ta sakrifikojnë jetën e tyre nga Covid-19 për hir të ekonomisë që duan t’i lënë nipërve dhe mbesave, informon dritare.net

Të gjithë këto argumente bazohen në të njëjtën gjë, që ekziston një zgjedhje midis të shpëtuarit ekonominë apo të shpëtuarin e jetës. Por ndoshta nuk është kështu, sipas një studimi të ri.

Emil Verner, profesor finance në MIT dhe kolegët e tij kërkuan për të parë sesi masat e distancimit social u implementuan nga qytetet për të zbutur impaktin e pandemisë së vitit 1918, përpjekje që janë gati identike me ato që po bëhen sot si për shembull mbyllja e bizneseve dhe shkollave, që kanë ndikuar dhe vdekshmërinë dhe ekonominë e pas pandemisë. Ai foli për “The Inquirer” rreth zbulimeve. Përgjigjet janë edituar pak por pa i humbur thelbin.

Cili ishte impakti i masave të distancimit social në shpërndarjen e sëmundjes dhe ekonominë gjatë gripit spanjoll?

Emil Verner: Ajo që u zbulua u bë duke krahasuar qytetet që kishin marrë më shumë masa krahasuar me ata që ishin më pak agresivë në ndërhyrjet jofarmaceutike për të reduktuar vdekshmërinë.

Por në të njëjtën kohë, nuk patën performancë më të keqe ekonomike sesa qytetet që ndërhynë më pak agresivisht. Në të kundërt, qytetet që ndërhynë në mënyrë më agresive dolën nga pandemia më të fortë, me ekonomi më të fortë në 1919.

A mund të na jepni shembuj?

Emil Verner: Filadelfia mori masa vonë, 8 ditë pasi filluan të rriteshin vdekjet në mënyrë dramatike dhe për një kohëzgjatje të limituar, 51 ditë krahasuar me mesataren 88 ditë. Prandaj dhe vendi pati vdekshmëri të lartë (900 vdekje për 100,000 rezidentë) dhe një ekonomi të dobët pas pandemisë. Duke e krahasuar me Klivlend që veproi shumë shpejt, 2 ditë përpara përshpejtimit të vdekjeve, dhe mori masa agresive duke i mbajtur ato për 99 ditë. Vdekshmëria ishte më e vogël (600 vdekje për 100,000 rezidentë) dhe ekonomia në 1919 ishte mbi mesataren, shkruan dritare.net

Për disa, kjo mund të tingëllojë si kontradiktore duke qenë se bizneset u mbyllën më shpejt dhe për një kohë më të gjatë. Na e shpjegoni se pse kjo ka kuptim?

Emil Verner: Në një ekonomi normale, nëse zbaton masa të distancimit social dhe masa të tjera për të limituar lëvizjen e njerëzve dhe biznesit kjo do të rezultojë e keqe për ekonominë. Por pandemia në vetvete është shumë e keqe për ekonominë. Gjatë pandemisë njerëzit nuk dëshirojnë të blejnë dhe konsumojnë, të shkojnë në mbledhje të mëdha publike dhe nuk duan as të punojnë shumë sepse kanë frikë se mos marrin virusin. Pandemia në vetvete shkakton probleme ekonomike sepse tkurr kërkesën, redukton fuqinë punëtorë, dhe ul investimet në biznes, sepse bizneset bëhen të vetëdijshëm për kohët e pasigurta nga pandemia. Duke qenë se pandemia është shkatërruese, çdo politikë e përdorur, që sulmon ashpërsinë e pandemisë, në fund do të japë edhe efekt pozitiv ndaj ekonomisë.

Në kërkimin tuaj, ju keni vëzhguar kohën kur vendet i morën masat e distancimit social dhe sa zgjatën këto masa. Kush ishte më e rëndësishme ndër të dyja, nëse mund të veçohen?

Emil Verner: Koha e duhur është shumë e rëndësishme, por dhe kohëzgjatja e masave është po aq e rëndësishme dhe ndoshta edhe më e rëndësishmja.

Gripi spanjoll na mëson, që karantina dhe hapja e ekonomisë, ecin

Bota ka ndryshuar shumë që nga 1918-ta. Si reflektohet ky ndryshim në distancimin social në ekonominë e 2020?

Emil Verner: Ne nuk duam që të japim rezultate në mënyrë naive. Pandemia e 1918-ës ishte po kaq e rëndë dhe vdekjeprurëse duke u bazuar në të dhënat që kemi. Gripi i 1918-ës ishte veçanërisht vdekjeprurës më shumë sesa koronavirusi sot. Gjithashtu struktura e ekonomisë ishte e ndryshme. Në atë kohë ekonomia bazohej në bujqësi dhe punën e dorës, ndërsa sot kemi të bëjmë më shumë me një ekonomi të bazuar në shërbime. Disa nga këto shërbime ne mund t’i bëjmë në distancë dhe kjo mund t’i ulë inpaktet pas goditjes. Por ka ende disa shërbime që nuk mund të bëhen në distancë, shumë shërbime ndërpersonale nga dentistët te restorantet e të tjera. Nëse mendojmë për sektorin e shërbimeve sot, pasojat do të jenë pak a shumë të rënda. Zinxhirët e ofertës botërore sot janë shumë më të thellë dhe burim shumë më i rëndësishëm i prodhimit. Problemet në këto zinxhirë që po shohim sot po ndikojnë në shtimin e problemeve ekonomike nga pandemia. Analiza që kemi nuk është e përshtatshme për t’ju përgjigjur këtyre lloj pyetjesh.

Çfarë mund të marrim si mësim nga 1918 rreth diskutimeve politike që bëhen sot rreth koronavirusit?

Emil Verner: Kurimi nuk duhet të jetë më i keq se sëmundja. Në të vërtetë hedh dyshime në këtë nocion se ekziston një balancim ndërmjet shpëtimit të jetës përmes ndërhyrjeve jofarmaceutike nga njëra anë dhe mbrojtjen e ekonomisë. Në 1918-ën nuk ndodhi kështu. Dhe kjo na jep arsye të besojmë se, si konceptualisht, por edhe empirikisht se nuk ka të ngjarë të ndodhë sot.

(Kosova Sot Online)