Limaj: Qeveria Kurti nuk ka vendosur reciprocitet

  • 08 prill 2020 - 22:20
Limaj: Qeveria Kurti nuk ka vendosur reciprocitet

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se nuk duhet të kërkohet nga opozita të mbajë në këmbë qeverinë e rrëzuar.

Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë negociuar katër muaj për 50 ditë qeverisje.

Limaj ka thënë se asnjë telashe nuk do të ketë nga rrëzimi i qeverisë në menaxhimin e pandemisë së Covid-19.

Lideri i Nismës ka thënë se deri tash qeveria nuk e ka vendosur reciprocitetin ndaj Serbisë.

Ai ka thënë se VV’ja nuk duhet të bëjë deklarata për një përdorim.

“Kjo qeveri nuk ka vendosur reciprocitet. Është vazhduar vendimi i nxjerrë nga MTI që asnjë produkt në Kosovë të mos futet me emërtime jo kushtetuese. Këta nuk kanë bërë asgjë”, ka shtuar Limaj.

Sa i përket veriut, ka thënë se nuk e fajëson Albin Kurtin për gjendjen e krijuar, por më shumë e fajëson për heshtjen e tij dhe mos transparencën.

Duke folur për ekipin e paralajmëruar nga Kurti për dialog, Limaj ka thënë se të njëjtin e kanë propozuar në qeverinë e kaluar, ku secila parti do ta kishte anëtarin e saj.

Limaj ka thënë se është për krijimin e një ekipi të unitetit që do të negocionte me Serbinë marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke.

(Kosova Sot Online)