Të vdekurit nga koronavirusi në Kosovë po varrosen sipas standardeve për sëmundjet ngjitëse

  • 10 April 2020 - 19:57
Të vdekurit nga koronavirusi në Kosovë po varrosen sipas standardeve për sëmundjet ngjitëse

Tri javë pasi ishte diagnostikuar me COVID-19, infeksioni i rëndë i shkaktuar nga ky virus dhe sëmundjet tjera shoqëruese kanë bërë që një 72-vjeçar nga Vrapqiqi i Gjilanit të jetë viktima e 7-të në vend.

Por, në Klinikën Infektive, 5 pacientë vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë shëndetësore, dy prej tyre të intubuar dhe me ventilim mekanik.

Në mesin 40 të tjerëve të cilët po vazhdojnë trajtimin në këtë klinikë, sipas infektologut Sali Ahmeti, shumë prej tyre janë drejt shërimit, raporton ktv.

Megjithatë, Ahmeti thotë se më të rrezikuarit nga ky virus janë ata që janë të prekur nga diabeti.

7 viktimat e deritanishme në Kosovë nga COVID-19, sipas zyrtarëve të Inspektoratit Sanitar, u varrosën sipas procedurave dhe standardeve për sëmundjet ngjitëse.

Trupat e tyre nuk lejohet të shkojnë në morg e as t’u bëhen rite fetare.

Varrimi i tyre bëhet vetëm disa orë pas vdekjes.

E, përkundër faktit se mjekët kanë paralajmëruar se Kosova ka hyrë në fazën kritike të përpalljes me këtë sëmundje, raportet e policisë tregojnë shifrat të larta të qytetarëve të cilët nuk po i zbatojnë masat e Qeverisë për vetizolim dhe qëndrim në shtëpi.

Në raportin e policisë së Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit janë ndaluar 76 persona, numri më i madh i tyre në veri të Mitrovicës, të cilët kanë vepruar në kundërshtim me vendimet e Qeverisë.


(Kosova Sot Online)