Shkon në 10,000 numri i rasteve të koronavirusit në Japoni

  • 18 April 2020 - 10:34
 Shkon në 10,000 numri i rasteve të koronavirusit në Japoni

Transmetuesi publik japonez, NHK, ka raportuar se numri i përgjithshëm i personave të infektuar me koronavirus në Japoni ka shkuar në 10,000 të shtunën.

Lajmi për arritjen e kësaj shifre erdhi vetëm disa ditë pasi qeveria e zgjeroi gjendjen emergjente në tërë vendin pasi ajo fillimisht ishte shpallur vetëm në kryeqytetin Tokio si përpjekje për ta ngadalësuar përhapjen e virusit.

Kryeministri japonez, Shinzo Abe, të premten kërkoi nga të gjithë njerëzit që të qëndrojnë në shtëpi pasi rastet e reja shënuan rekord në Tokio. Ekziston frika se shërbimet shëndetësore mund të dështojnë në zonat rurale, ku banojnë shumë njerëz të moshuar, shkruan “Reuters”.

Deri më tani, nga koronavirusi në Japoni kanë vdekur mbi 200 persona. Kjo është shifër shumë e vogël në krahasim me numrin e popullsisë dhe në krahasim me viktimat e shënuara në shtetet kryesore evropiane, por shqetësuese mbetet shkalla e lartë e përhapjes së virusit në Tokio.

Të shtunën, në kryeqytetin japonez u shënuan 181 raste të reja të infektimit, ndërsa të premten 201, raportoi televizioni publik.

(Kosova Sot Online)