Studim i ri: Një miliard njerëz do të jetojnë në zona me vapë të padurueshme pas 50 vjetësh

  • 05 May 2020 - 11:41
Studim i ri: Një miliard njerëz do të jetojnë në zona me vapë të padurueshme pas 50 vjetësh

Sipas një studimi të ri, pasojat e ndryshimeve klimatike do të godasin më fort, më gjerë dhe më shpejt sesa është besuar më parë, sepse një miliard njerëz do të jenë të detyruar të shpërngulen ose të jetojnë në vapë të padurueshme brenda 50 vjetëve të ardhshëm.

Në skenarin më të keq të lirimit të gazrave, zonat që tashmë janë vendbanim i një të tretës së popullsisë botërore do të jenë aq të ngrohta sa pjesët më të ngrohta të shkretëtirës së Saharës brenda 50 vjetëve, thuhet në hulumtim.

Tim Lenton nga Universiteti i Exeter-it dhe autor i këtij hulumtimi tha se edhe vetë ishte shumë i befasuar me gjetjet e studimit.

Në vend se ta shqyrtojë ndryshimin klimatik si problem fizik dhe ekonomik, ky studim e trajton atë më tepër për mënyrën e ndikimit në habitatin njerëzor, shkruan “The Guardian”.

Shumica e popullsisë botërore gjithmonë ka jetuar në rajonet ku temperaturat mesatare vjetore sillen mes 11 deri në 25 gradë, që janë ideale për shëndetin e njerëzve dhe prodhimin e ushqimit.

Megjithatë, ky kufi është duke ndryshuar si pasojë e ngrohjes globale, që po i detyron njerëzit të jetojnë në zona më të nxehta.

(Kosova Sot Online)