Mustafa pas konferencës: Jemi përcaktuar për Kosovë proevropiane, me miqësi të përhershme me SHBA’në

  • 06 May 2020 - 17:45
 Mustafa pas konferencës: Jemi përcaktuar për Kosovë proevropiane, me miqësi të përhershme me SHBA’në

Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ka treguar se sot mori pjesë në një videokonferencë, si anëtar i Partive Popullore të Evropës, në kuadër të Samitit të Zagrebit.

Mustafa thotë se sot ka theksuar sa të rëndësishme e ka Kosova orientimin e saj proevropian dhe në të njëjtën kohë edhe vazhdimin e miqësisë, sipas tij, të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“LDK i ka përcaktuar qartë orientimet e saj për një Kosovë proevropiane, pa asnjë dilemë dhe pa asnjë alternativë, dhe zhvillimin e miqësisë së përhershme me SHBA”

Mustafa thotë se në konferencë i ka kërkuar Bashkimit Evropian të ndihmojnë biznesët private në Kosovë, duke i falëndëruar për ndihmën e deritanishme dhe ka folur edhe për pritjet e kosovarëve për liberalizim të vizav.

Shkrimi i plotë:

Të dashur miq,

Në cilësinë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), si anëtare e Partive Popullore Evropiane (EPP), me ftesë të Presidentit Donald Tusk, sot mora pjesë në Samitin-Videokonferencën e Zagrebit të EPP për Ballkanin Perëndimor.

Samiti i EPP-së reflektoi një përkushtim konkret të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm në betejën për të mposhtur COVID-19, por edhe për zhvillimin dhe demokratizimin e mëtejmë si pjesë të demokracisë evropiane. Fuqizimi i shtetit të së drejtës dhe respektimi i i të drejtave të njeriut ishin dhe mbeten preokupim i EPP-së.

LDK i ka përcaktuar qartë orientimet e saj për një Kosovë proevropiane, pa asnjë dilemë dhe pa asnjë alternativë, dhe zhvillimin e miqësisë së përhershme me SHBA.

Duke falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen që ka ofruar dhe premtuar për të gjitha vendet, përfshirë edhe Kosovën , në këtë kohë të vështirë, si kryetar i LDK-së, nga partnerët evropianë kërkova mbështetje të drejtpërdrejtë të sektorit privat të bizneseve, për të evituar rrezikun nga papunësia, që pastaj mund të reflektohet në qendrueshmërinë buxhetore dhe likuidetin bankar.

Si kryetar i LDK-së, partnerët tanë evropianë i garantova për përkushtimin e subjektit politik që udhëheq për të ruajtur dhe thelluar partneritetin me vendet e Bashkimit Evropian.

Kam përshëndetur hapat integrues të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt integrimeve evropiane si dhe kam nënvizuar rëndësinë që ka për rajonin anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO.

Shpreha interesimin dhe përkushtimin e vendit tim për kultivimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha vendet fqinje dhe faktin se përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke do të ndihmonte stabilitetin jo vetëm në rajo por edhe me gjerë.

Partnerëve evropian ua kam shprehur pritjet e arsyeshme të qytetarëve të Kosovës për liberalizim të vizave, duke nënvizuar se kemi përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

LDK-ja dhe unë jemi me fat që kemi miq kaq të përkushtuar për ta mbështetur Kosovën në kryeqytetet evropiane dhe në Bruksel.

Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç përmbushjes së standardeve për integrim evropian dhe euro-atlantik.

Kosovës i nevojitet një qeveri e cila siguron partneritet me vendet e Bashkimit Evropian, ndihmon përafrimin më të shpejt të vendit tonë me BE-në dhe ndihmon në sqarimin e dilemave që kanë disa prej këtyre vendeve sa i përket qasjes ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. I.M.

(Kosova Sot Online)