Zyrtari i MIE për shkak të cilit u vetizolua edhe Albin Kurti s’është i prekur me COVID-19

  • 11 May 2020 - 18:31
 Zyrtari i MIE për shkak të cilit u vetizolua edhe Albin Kurti s’është i prekur me COVID-19

Zyrtari i Ministrisë së Integrimeve Europiane i cili kishte pasur kontakt të afërt me një person që është konfirmuar pozitiv me COVID-19, është testuar sot dhe ka dalë negativ.

Lajmin për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Mund të ua konfirmoj faktin që zyrtari për të cilin është dyshuar sot gjatë ditës ka rezultuar negativ me COVID-19. Duke qenë se testi ka dalë negativ, që nga nesër do të rifillojmë punën. Gjithmonë duke u kujdesur në mënyrën se si ndërveprojmë me njëri-tjetrin dhe gjithmonë duke pasur parasysh higjienën tonë”, ka thënë Kryeziu.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se nga sot nuk do të dalë në punë në kryeministri, meqenëse ka pasur kontakt me këtë person.

“Sot është dita e parë kur nuk do të dal në punë në Kryeministri (ZKM). Një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE) ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalur pozitiv në testin për COVID-19. Janë marrë mostrat dhe po presim rezultatin”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka treguar se nga sot është në vetizolim në banesën e tij, derisa të dalin rezultatet për zyrtarin e MIE-së.

“Unë kam pasur kontakt me të, sikurse edhe punonjës të tjerë në MIE e ZKM, ndonëse gjithnjë duke respektuar rregullat për distancën fizike. Nga sot jam në vetizolim në banesë gjersa të dalin rezultatet e testimit për zyrtarin nga MIE”, thuhet në postimin e tij.

(Kosova Sot Online)