Cikloni “Amphan” arrin në tokën e Indisë e Bangladeshit, shkakton tri viktima

  • 20 May 2020 - 15:45
 Cikloni “Amphan” arrin në tokën e Indisë e Bangladeshit, shkakton tri viktima

Stuhia më e fuqishme e Ngushticës së Bengalit në shekullin e ri, super-cikloni “Amphan”, ka arritur në brigjet e Indisë lindore dhe Bangladeshit të mërkurën pasdite, duke sjellë reshje të mëdha të shiut dhe erëra me shpejtësi të madhe, që pritet të shkaktojnë edhe vërshime.

Cikloni solli erëra me shpejtësi prej 190 kilometrash në orë dhe valë të detit pesë metra të larta, duke e vazhduar lëvizjen drejt Kalkutës, një prej qyteteve më të mëdha në Indi. Stuhia e fuqishme tashmë i ka shkaktuar tri viktima – dy në Indi dhe një në Bangladesh.

Në Bangladesh janë shpërngulur mbi dy milionë njerëz, ndërsa 500 mijë indianë janë larguar nga zonat e ulëta bregdetare dhe janë vendosur në strehimore të përkohshme. Forcat detare indiane janë vënë në gjendje të gatishmërisë së lartë për të ofruar ndihmë për personat e prekur.

Përpjekjet për evakuimin e banorëve janë vështirësuar për shkak të nevojës për të respektuar masa të rrepta të distancës fizike për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit. Shumë njerëz madje kanë refuzuar të largohen nga shtëpitë e tyre nga frika se do të infektohen me virusin e ri.

Autoritetet në Indi dhe Bangladesh kanë thënë se janë duke përdorur hapësira të veçanta në strehimore për ta shmangur shkeljen e distancës fizike, vendosjen e maskave e kanë bërë obligative dhe kanë ofruar sasi të mëdha të sapunëve dhe dezinfektuesve.

(Kosova Sot Online)