Irani rihap tempujt dhe objektet kulturore nga e diela

  • 23 maj 2020 - 11:57
 Irani rihap tempujt dhe objektet kulturore nga e diela

Irani ka vendosur t’i rihapë objektet kulturore nga dita e diel, me rastin e ditës së parë të Fitër Bajramit, si pjesë e vendimit për lehtësimin e masave kufizuese.

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, tha në televizionin shtetëror se të dielën do të hapen muzetë dhe qendrat historike, shkruan “Reuters”.Ndërkohë tempujt, që kanë qenë pika të përhapjes së virusit, do të rihapen të hënën.

Rouhani javën e kaluar kishte thënë se tempujt do të hapen tri orë në mëngjes dhe tri orë pasdite. Disa pjesë të këtyre ndërtesave, siç janë korridoret e ngushta, do të vazhdojnë të mbesin të mbyllura.

Për më tepër, të gjithë punëtorët do të rikthehen në vendet e tyre të punës të shtunën e ardhshme, shkruan “Reuters”.

Javën e kaluar, presidenti iranian tha se restorantet do të rihapen pas Ramazanit dhe se aktivitetet sportivve do të vazhdojnë pa shikues. Universitetet do të rihapen më 6 qershor.

Sipas tij, 88 për qind e viktimave të koronavirusit kanë qenë persona që kanë pasur edhe probleme të tjera shëndetësore.

(Kosova Sot Online)