Pse nuk ka telefonatë Thaçi - Lajçak?

  • 26 May 2020 - 12:29
Pse nuk ka telefonatë Thaçi - Lajçak?

Emisari i BE’së, Miroslav Lajçak, deri tani në përgatitjet e tij për rinisjen e procesit të negociatave nuk ka njoftuar për ndonjë telefonatë vetëm me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin. Kjo duket se është si rezultat i kritikave të shumta e të hapura të presidentit drejt sllovakut.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, që kur ishte përmendur emri i Miroslav Lajçak për t’u emëruar si emisar i BE’së në dialogun e Kosovë-Serbi kishte shprehur hapur kundërshtinë e tij. Madje presidenti i vendit kishte shkuar aq larg sa që kishte thënë se s’do të pranojë të takojë Lajçakun nëse ky i fundit do të ulet në tryezën e dialogut me qëndrimin e shtetit sllovak sa i përket pavarësisë së Republikës së Kosovës. Presidenti Thaçi këto kritika drejt Lajçakut i kishte bërë në mënyrë të hapur, derisa në një rast kishte nxitur edhe reagimin e zëdhënësit të BE’së, Peter Stano.

Duket se një qasje e tillë ka bërë që kontakti i vetëm i deritanishëm mes Thaçit dhe Lajçakut si emisar i BE’së të jetë vetëm një letër e shkruar më 8 prill, derisa sllovaku ka telefonuar nga dy të gjithë liderët politikë e institucionalë të Kosovës përveç presidentit Hashim Thaçi.

Lajçak gjithashtu ka biseduar në telefon edhe me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, atë malazias, Milo Gjukanoviq, Edi Ramën, Stevo Pendarovskin e gjithë krerët politik të Bosnje e Hercegovinës.

Miroslav Lajçak deri tani ka telefonuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanin, liderin e LDK’së, Isa Mustafën, kreun e NISMA-s, Fatmir Limajn, e gjithashtu edhe nënkryetarin e LDK’së, Lutfi Hazirin.

Gjithashtu Lajçak ka telefonuar pothuajse të gjithë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, Maqedoninë, Shqipërinë e Bosnje e Hercegovinën.

Më 12 prill Lajçak në cilësin e emisarit të BE’së kishte telefonuar presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, me të cilin kishte folur për dialogun dhe rreth situatës me pandeminë COVID-19.

Katër ditë më pas, sllovaku kishte telefonuar Isa Mustafën, Vjosa Osmanin dhe Fatmir Limajn.

Ndërkohë më 17 prill kishte telefonuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, dhe kreun e Listës Serbe, Goran Rakiq me të cilët kishte thënë se ka pasur një bisedë produktive rreth rinisjes së procesit të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Më 21 prill, Miroslav Lajçak kishte telefonuar edhe presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me të cilin gjithashtu kishte biseduar për impaktin pozitiv që do të ketë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dialogu Kosovë-Serbi i drejtuar nga Brukseli.

Pas Pendarovskit, më 22 prill sllovaku ka telefonuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, me të cilin kishte treguar se kanë folur për arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi.

Më 23 prill, Lajçak ka telefonuar presidentin e Malit të Zi, Milan Gjukanoviq, më të cilin gjithashtu ka biseduar për procesin e negociatave Kosovë-Serbi.

Gjithashtu emisari i BE’së ka telefonuar edhe të gjithë krerët politik të Bosnje e Hercegovinës.

E në muajin maj, Lajçak ka filluar edhe serinë e dytë të bisedave telefonike me krerët politik të Kosovës.

Më 13 maj ka telefonuar përsëri Vjosa Osmanin, më 15 kreun e LDK’së, Isa Mustafën, dhe më 18 ka telefonuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

Lajçak ka telefonuar edhe drejtorin e të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriq.

Lajçak ende nuk dihet nëse është vënë në kontakt me emisarin e Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, me të cilin presidenti Thaçi ka raporte të mira.

(Kosova Sot Online)