Vetëvendosje drejtohet në Kushtetuese për rastin e deputetit Etem Arifi

  • 11 qershor 2020 - 16:08
 Vetëvendosje drejtohet në Kushtetuese për rastin e deputetit Etem Arifi

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar sot në Gjykatë Kushtetuese kërkesën për të vlerësuar kushtetueshmërinë e pjesmarrjes dhe votimit të deputetit Etem Arifi në seancën ku u votua për qeverinë në krye me Avdullah Hoti.

Nga LVV’ja kanë shkruar se Arifi është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë, e rrjedhimisht, sipas tyre votimi i tij në seancë është ndesh me Kushtetutën.

“Kjo kërkesë është rasti i radhës që ose do të shpërfaqë edhe më shumë rënien e shtetit të së drejtës në justifikimin e çdo paligjshmërie, ose do të konstatojë atë që e thotë Kushtetuta se një deputet i dënuar me mbi një vit burg humb mandatin dhe se vendimi që merr për bazë votimin e tij është në kundërshtim me Kushtetutën”, kanë shkruar nga partia e Albin Kurtit.

Pjesmarrja në seancë e deputetit Etem Arifi, sipas LVV’së, e thellon paligjshmërinë e kësaj Qeverie dhe e bën edhe proceduralisht të paligjshëm vendimin e Kuvendit për votimin e Qeverisë.

“Është e përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg”, thonë nga Vetëvendosje.

(Kosova Sot Online)