Sllovenia ua hap kufijtë italianëve dhe malazezëve nga 15 qershori

  • 13 June 2020 - 10:10
 Sllovenia ua hap kufijtë italianëve dhe malazezëve nga 15 qershori

Qeveria sllovene ka njoftuar të premten përmes një deklarate se nga 15 qershori do t’i hapë kufijtë për qytetarët e Italisë dhe Malit të Zi.

Autoritetet gjithashtu njoftuan se nga e shtuna do ta bëjnë të obligueshme karantinën dyjavore për shumicën e njerëzve që futen në Slloveni nga 31 shtete ku situata me koronavirus është përkeqësuar në javët e fundit. Këtu përfshihen Suedia, Britania e Madhe, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Brazili.

Sllovenia ishte futur në izolim në mes të marsit, por ka filluar t’i lehtësojë masat kufizuese nga 20 prilli. Në maj, ajo u bë shteti i parë evropian që e shpalli fundin e epidemisë së koronavirusit.

Nga muaji maj, Sllovenia i ka rihapur kufijtë për qytetarët e 17 shteteve, përfshirë Kroacinë fqinje, Hungarinë dhe Austrinë, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Deri më tani, Sllovenia i ka raportuar 1,490 raste të infektimeve dhe 109 të vdekur nga Covid-19. Nga e hëna, në këtë shtet do të lejohen tubimet me më së shumti 500 persona, ndërsa tani numri maksimal i lejuar është 200.

(Kosova Sot Online)