Rriten tensionet mes Australisë dhe Kinës, Pekini dënon me vdekje një australian

  • 13 June 2020 - 15:42
 Rriten tensionet mes Australisë dhe Kinës, Pekini dënon me vdekje një australian

Një burrë australian është dënuar me vdekje në Kinë. Ky vendim pritet t’i shtojë tensionet në marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat edhe ashtu nuk janë të mira kohëve të fundit për shkak të këmbënguljes së Australisë për zhvillim të hetimeve në lidhje me përhapjen e pandemisë Covid-19 në Kinë dhe në tërë botën.

Departamenti për Çështje të Jashtme tha se është duke ofruar asistencë konsullore për burrin e dënuar, pa e identifikuar atë, shkruan “Reuters”.

Mediet australiane dhe kineze e kanë identifikuar atë si Cam Gillespie, i arrestuar shtatë vjet më parë nën akuzën për trafikim të drogës në pjesën jugore të Kinës.

“Jemi thellësisht të pikëlluar për vendimin e marrë në këtë rast. Australia e kundërshton dënimin me vdekje, në të gjitha rrethanat për të gjithë njerëzit. Ne e përkrahim largimin e përgjithshëm të dënimit me vdekje dhe jemi të përkushuar për ta arritur këtë qëllim përmes të gjitha rrugëve të mundshme”, thuhet në deklaratën e këtij departamenti.

Cam Gillespie ishte arrestuar në vitin 2013 me më shumë se 7.5 kilogramë metamfetaminë në valixhe përderisa po synonte të udhëtonte përmes një fluturimi ndërkombëtar nga aeroporti “Baiyun” në Guangzhou.

Tensionet diplomatike mes Australisë dhe Kinës janë përkeqësuar pasi Australia bëri thirrje për hetime ndërkombëtare për burimin e koronavirusit. Në anën tjetër, Kina e ka ndaluar importimin e mishit nga Australia dhe ka vendosur taksë për elbin. Pekini gjithashtu ka kërkuar nga turistët kinezë që ta shmangin shkuarjen në Australi.

(Kosova Sot Online)