Lumir Abdixhiku: Votova kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit

  • G.G /
  • 20 June 2020 - 18:37
Lumir Abdixhiku: Votova kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka votuar kundër propozimit që Vjosa Osmani të shkarkohet nga posti i nënkryetares së partisë, që ua dërgoi Këshillit të Përgjithshëm për votim kryetari Isa Mustafa. Ai tha se LDK-së nuk i sjell dobi largimi i figurave kryesore dhe se mospajtimet janë të mundshme.

“LDK-së i duhet unitet. Çdo mospajtim është i zgjidhshëm. Unë nuk besoj se largimi i figurave kryesore të partisë nga pozitat udhëheqëse na sjellë ndonjë dobi. Përkundrazi, çdo largim i tillë na bën më të dobët e më të ligë. LDK nuk ka njerëz në tepricë; LDK ka nevojë për njerëz me shumë; sidomos tani, sidomos të profilit të tillë”, ka thënë ish-ministri.

“Natyrisht se unë kam votuar kundër. Përtej kësaj, do të angazhohem – për aq sa është e mundur – që të jemi sa më afër njëri-tjetrit, pavarësisht bindjeve që secili mund t’i ketë”, ka shtuar ai.

Abdixhiku s’pati pranuar post ministror në Qeverinë Hoti edhe pse Mustafa tha se i është ofruar.

(Kosova Sot Online)