Mongolia e vendos në karantinë një rajon në kufi me Kinën shkaku i përhapjes së murtajës

  • E.K /
  • 04 July 2020 - 15:18
 Mongolia e vendos në karantinë një rajon në kufi me Kinën shkaku i përhapjes së murtajës

Autoritetet në Mongoli e kanë vendosur në karantinë një rajon në kufi me Kinën për shkak të përhapjes së murtajës.

Dy raste të dyshimta të sëmundjes së rëndë, të lidhura me konsumimin e mishit të marmotit, janë identifikuar nga ekspertët mjekësorë.

Rezultatet laboratorike konfirmuan se dy individët e paidentifikuar e kishin marrë sëmundjen në rajonin Khovd, thuhet në deklaratën e Qendrës Kombëtare për Sëmundjet me Prejardhje nga Kafshët.

Në pjesën perëndimore të Mongolisë, kryeqyteti provincial tashmë është vendosur në karantinë. Sipas medieve lokale, atje është ndaluar përkohësisht hyrja e veturave.

Autoritetet i analizuan mostrat e 146 personave që mund të kishin pasur kontakte me dy njerëzit e infektuar. Janë identifikuar edhe 504 persona të tjerë, të cilët kanë mundur të kenë kontakte të dorës së dytë.

Infeksioni bakterial i murtajës mund t’i mbysë njerëzit e rritur brenda 24 orëve, nëse nuk trajtohet me kohë.

Murtaja përhapet përmes pleshtave që jetojnë në brejtës të ndryshëm, siç janë marmotat.

Në prill të vitit të kaluar, në këtë rajon kishin vdekur dy persona nga murtaja pasi kishin ngrënë mish të papjekur të marmotit.

(Kosova Sot Online)