Presidenti edhe pse i infektuar me koronavirus del në rrugë me motoçikletë

  • G.G /
  • 24 July 2020 - 11:04
Presidenti edhe pse i infektuar me koronavirus del në rrugë me motoçikletë

Jair Bolsonaro vijon të sfidojë autoritetet dhe rregullat e pandemisë. Edhe pse i infektuar me koronavirus, presidenti brazilian ka dalë sërish nga karantina e detyruar, këtë herë duke ngarë motorin e duke folur me qytetarët në rrugë, pa një maskë mbrojtëse të vendosur, vetëm pak orë pasi kishte rezultuar pozitiv edhe në tamponin e tretë.

Pas xhiros, kreu i shtetit reagoi përmes “Facebookut”, në një përpjekje për të qetësuar mediat dhe qytetarët duke thënë se është shumë mirë dhe se vazhdimisht ka marrë hidroksikloronikë, një trajtim i paaprovuar për Covid-19.

Të mërkurën në mbrëmje, zyra e tij e shtypit njoftoi se edhe në testin e tretë, Bolsonaro ka rezultuar pozitiv, pas testit të parë më 7 korrik. Deri më tani, Brazili është shteti i dytë në botë pas SHBA për nga numri i të infektuarve, duke regjistruar në një ditë të vetme thuajse 60 mijë raste të reja, në një total prej 2.3 milionë rastesh pozitive.

Një ditë më parë, Ministria e Shëndetësie raportoi 1311 vdekje, duke e çuar numrin e viktimave në 84 mijë.

(Kosova Sot Online)