Në ShBA fillon faza e tretë e testimit të një vaksine kundër Covid-19

  • E.K /
  • 27 July 2020 - 14:38
Në ShBA fillon faza e tretë e testimit të një vaksine kundër Covid-19

Në Shtetet e Bashkuara ka filluar faza e tretë e testimit të një vaksine kundër koronavirusit. Kjo është vaksina e parë që arrin në njërën nga fazat më të rëndësishme të testimit, kur vlerësohet nëse substanca i mbron njerëzit nga sëmundja.

Vaksina eksperimentale është zhvilluar nga kompania bioteknologjike “Moderna” dhe Instituti Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Ngjitëse. Testimi do të kryhet në rreth 100 lokacione. Pacienti i parë që e mori vaksinën ishte nga Georgia.

Në testimin e fazës së tretë pritet të përfshihen rreth 30,000 vullnetarë të rritur. Në proces do të vlerësohet siguria e përdorimit të vaksinës në njerëz dhe nëse ajo mund ta parandalojë Covid-in simptomatik pas dy dozave, shkruan “CNN”.

Vullnetarëve do t’u jepen dy doza me nga 100 mikrogramë me distancë kohore prej 28 ditësh. Një pjese tjetër të vullnetarëve do t’u jepet një dozë e rreme dhe hulumtuesit dhe pjesëmarrësit nuk do ta dinë se cilët persona e kanë marrë vaksinën e vërtetë.

“Moderna” është një nga kompanitë që kanë marrë përkrahje nga programi i qeverisë federale për zbulimin e vaksinës kundër koronavirusit. Të dielën, kjo kompani njoftoi se i ka marrë 472 milionë dollarë shtesë për fazën e tretë të testimit, duke e çuar në 955 milionë dollarë shumën e përgjithshme që ka marrë nga shteti për zbulimin e vaksinës kundër Covid-19.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se tash për tash janë 25 vaksina kundër koronavirusit që u janë nënshtruar testimeve klinike në mbarë botën.

(Kosova Sot Online)