Etem Arifi gati në burg, Kushtetuesja ende s’ka vendim rreth votës së tij për Qeverinë Hoti

  • A.P /
  • 05 gusht 2020 - 18:02
Etem Arifi gati në burg, Kushtetuesja ende s’ka vendim rreth votës së tij për Qeverinë Hoti

Pas lëshimit të urdhërarrestit ndaj deputetit Etem Arifi, koalicioni qeverisës shumë shpejt mund ta humbë shumicën në Parlament. E vota e Arifit pro  krijmit të Qeverisë Hoti, që po trajtohet në Gjykatën Kushtetuese mund t’i bëjë dëm edhe më të madh koalicionit, por në këtë institucion  thonë se me këtë lëndë sapo kanë nisur të merren.

Gjykata Themelore e Prishtinës, të hënën që shkoi, ka lëshuar urdhërarrest ndaj deputetit Etem Arifi. Nëse ky ligjvënës, që është vota e 61-të e Qeverisë Hoti, shkon në burg, atëherë koalicioni e humb shumicën.

Deputeti nga Partia e Ashkalinjve, është i dënuar për mashtrim me subvencione, por deri më tani suksesshëm e ka shmangur qëndrimin prapa grilave.

Arifi duhej të fillonte vuajtjen e dënimit në 9 mars 2020, por gjykata e shtyu atë dy herë me katër muaj në total për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të Arifit. Ai kërkoi sërsh shtyrje të dënimit në korrik, por gjykata e refuzoi.

Deputeti nuk e ka humbur mandatin dhe ka vazhduar aktivitetin e tij, duke e votuar edhe Qeverinë Kurti edhe Qeverinë Hoti. Arifi kishte marrë pjesë në zgjedhjet e 6 tetorit edhe pse ishte dënuar  në prill të vitit 2018.

Sipas nenit 70 Kushtetutës së Kosovës, mandati i deputetit humbet nëse dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila mbeti në opozitë pas votimit të Qeverisë së Avdullah Hotit, më 11 qershor dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese votën e Arifit për Qeverinë Hoti.

Por, kjo Gjykatë që ka pasur punë kohëve të fundit me zhvillimet politike, ende nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me kërkesën e LVV’së.

Nga Gjykata Kushtetuese i kanë thënë se lënda e dorëzuar nga Lëvizja Vetëvendosje është në fazën fillestare të shqyrtimit.

“Kjo lëndë tashmë është proceduar nga Gjykata dhe tani është në fazën e shqyrtimit fillestar. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të palëve të interesit në këtë rast”.

Juristi Ehat Miftaraj thotë se Arifi e humb mandatin nëse nuk kryen veprimtarinë e tij në Kuvend për gjashtë muaj. Ndërsa thotë se, në aspektin moral, deputeti i Kosovës nuk duhet t’i ikë drejtësisë. 

“Në aspektin Kushtetues dhe ligjor, deputeti Arifi e humb mandatin e deputetit nëse mungon për gjashtë muaj rresht  në seancat e Kuvendit të Kosovës.  Lëshimi i fletë arrestit  ndaj të njëjtit nuk ka pasoja juridike lidhur me humbjen e mandatit të deputetit në Kuvendin e Kosovës.  Në aspektin moral dhe etik, është e papranueshme që një deputet i Kuvendit të Kosovës ti bishtnojë drejtësisë dhe të mos respektoj vendimet gjyqësore.

“Rasti Arifi dëshmon se çfarë janë në gjendje të bëjnë deputetet e Kuvendit të Kosovës për të përfituar nga privilegjet që ofron pozita e deputetit.  Rasti i deputetit Arifi është rast përfaqësues i një deputeti pa integritet, i cenueshëm dhe që pozitën e deputetit e keqpërdor për interesa puro”.

Qeveria Hoti është votuar nga 61 deputetë, duke përfshirë aty edhe Arifin. Miftaraj thotë se Qeveria që nuk e ka shumicën e Kuvendit pro saj, nuk ka fuqi politike.

“Padyshim se një qeveri që nuk ka 61 vota të sigurta në Kuvendin e Kosovës, ka mungesë të fuqisë politike për të përmbushur programin qeverisës, dhe në përmbushjen e obligimeve dhe përgjegjësive që kanë në raport me qytetarin” thotë Miftaraj.

Ai shton se vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve për Qeverinë Hoti vështirë se mund të konsiderohet antikushtetuese, pasi ai është dënuar nga Gjykata sa ishte deputet në legjislaturën e kaluar.

“Në bazë të Kushtetutës dhe praktikës së ndërtuar, do të jetë e vështirë që të konsiderohet kundërkushtetuese vota e deputetit Arifi pasi i njëjti mandatin e deputetit e ka humbur në legjislaturën e kaluar kur edhe është shpallur fajtor”, ka thënë Miftaraj. 

“Çka është indikative në rastin e deputetit Arifi është fakti se si gjykata kur e ka shpallur të njëjtin fajtor nuk ka shqiptuar dënim plotësues, lidhur me kufizimin e të drejtës për të kandiduar si deputet.  Një qasje e tillë e gjykatave vërtetojnë se të njëjtat janë të kapura nga politika dhe nuk e zbatojnë ligjin në mënyre të drejtë, pavarur dhe të paanshme.  Për më tepër gjykatat me veprime të tilla promovojnë korrupsionin dhe kulturën e pandëshkueshmërisë”, thotë juristi.

Arifi ishte ankuar në Gjykatën Apelit, por kjo i hodhi poshtë ankesën, e pas kësaj, Gjykata Themelore këtë javë lëshoi urdhërarrest ndaj tij.

Deputeti Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, akuzohen për përvetësim të rreth 26 mijë eurove. 


(Kosova Sot Online)