Albin Kurti bën thirrje që të kundërshtohet ambasadori Grenell njëjtë si Gelbard më 1998

  • G.G /
  • 21 August 2020 - 12:45
Albin Kurti bën thirrje që të kundërshtohet ambasadori Grenell njëjtë si Gelbard më 1998

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se Emisari Special i Presidentit Trump, Richard Grenell duhet ta kundërshtojnë të gjithë, njëjtë si me ambasadorin Gelbard në vitin 1998.

Kurti ka thënë se kur ambasadori Robert Gelbard në vitin 1998 kishe deklaruar se UÇK’ja është terroriste ai është kundërshtuar njëzëri dhe është zëvendësuar me Richard Holbrook’un.

“Sa i përket të dërguarit të posaçëm Grenell, meqenëse ai ka thënë se Kosova duhet ta heqë reciprocitetin me Serbinë, mendoj se duhet të veprojmë me të njësoj siç vepruam me ambasadorin Gelbard kur në 1998 tha se UÇK-ja është terroriste, pra ta kundërshtojmë njëzëri, në mënyrë që ta kuptojë se kjo qasje është e papranueshme për ne. Asokohe kundërshtimi ynë bëri që Gelbard të zëvendësohet nga Holbrooke, pra, ia pamë hajrin kundërshtimit. Edhe sot na duhet që Richard Grenell të zëvendësohet me një Richard Holbrooke të ri”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kreu i VV’së, në vazhdimësi ka sulmuar të dërguarin e Presidentit Trump, Richard Grenell për dialogun Kosovë-Serbi, madje duke e akuzuar se e ka rrëzuar qeverinë e tij.

Kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka refuzuar takimin virtual me komunitetin shqiptaro-amerikan me krerët e institucioneve shtetërore e të partive politike rreth takimit të 2 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë duke e konsideruar se një takim i tillë do të legjitimonte një proces i cili po zhvillohet në mungesë të informimit të respektit për qytetarët.

(Kosova Sot Online)