Trump rikonfirmon vullnetin për tërheqjen e trupave nga Iraku
Presidenti amerikan, Donald Trump rikonfirmoi, në prani të kryeministrit të ri irakian, vullnetin për të tërhequr trupat amerikane nga Iraku, por pa dhënë detaje për një afat, në një kohë kur Uashingtoni dhe Bagdadi po përballen me sfidën e paraqitur nga grupet e armatosura, shpesh aleate të Teheranit.
Presidenti i SHBA-së ka pritur për herë të parë në Shtëpinë e bardhë, kryeministrin e ri irakian, Moustafa al-Kazimi, emëruar në maj në një vend ku iranianët dhe amerikanët pretendojnë për influencë.
Pritja ka qenë e ngrohtë për këtë kryeministër, i njohur si më pro-amerikan se paraardhësi i tij, i cili ka kontribuar në përmirësimin e marrëdhënieve pas disa muajve tensione, ashtu si e dëshmon kjo ftesë e shpejtë në Zyrën Ovale.
“Ne kemi pasur një marrëdhënie shumë të mirë që prej fillimit”, theksoi miliarderi republikan përsa i përket drejtuesit irakian, një person shumë i respektuar.
Kryeministri irakian e përshëndeti presidentin amerikan Donald Trump për mbështetjen amerikane.
“Në një moment të caktuar, ne padyshim që do të jemi larguar”, theksoi Trump duke përshëndetur vendimet e tij për uljen e trupave në një nivel shumë, shumë të ulët.
“Ne kemi tërhequr ushtarët tanë nga Iraku mjaft shpejt, dhe ne nuk mund të presim që të mos ketë më nevojë për të qenë atje sepse Iraku do të jetë në gjendje të jetojë jetën e tij dhe të mbrohet vetë”, nënvizoi ai.
(Kosova Sot Online)
