Fjalimi i Vjosa Osmanit që synoi ta elektrizojë skenën politike kosovare!

Fjalimi i Vjosa Osmanit që synoi ta elektrizojë skenën politike kosovare!
Fjalimi i Vjosa Osmanit që synoi ta elektrizojë skenën politike kosovare!

Fadil Maloku

  • 12 May 2026 - 11:16

Nga Fadil Maloku

Analizë sociologjike;

Teoritë e ndryshme mbi lëvizjet e trupit, gjestikulacionin dhe artin e të folurit, po edhe stilin e qëndrimit, madje edhe mimikën e fytyrës bashkë me mënyrën e ecjes dhe intonacionin e zërit, janë simptoma dhe elemente mjaft domethënëse për të analizuar e interpretuar “performancën apo llukun social” të një politikani apo personaliteti që e (ri)fillon marrjen me punët publike në një shoqëri të emancipuar politikisht.

Zakonisht, këto finesa e cilësi, kisha me thënë, shërbejnë jo vetëm për të dekonspiruar “sekretet” e (mos)sukseseve të një grupimi politik, por edhe për të ilustruar kuptimet, autoritetin, po edhe emocionet që personalitetet e caktuara tentojnë t’i fusin në “menynë suedeze”, vetëm e vetëm që ta ngrisin rejtingun e tyre në “sytë” e publikut të gjerë, që herë pas here di të shndërrohet edhe në zhgënjim, sidomos në shoqëritë e tranzicionit, sikurse jemi ne në Kosovë.

Në ndërkohë, është interesant për t’u theksuar që edhe ndër politikanët, po edhe figurat tjera publike shqiptare, ka filluar të kalkulohet me imazhet dhe përshtypjet e asaj që shquhet si “menaxhimi i përshtypjes” (impression management), ku trupi, mimika, mënyra e ecjes, ajo e shprehjes dhe gjestikulacionit bëhen pjesë përbërëse e ndërtimit të autoritetit politik, afërsisë sociale, po edhe ngjalljes së frikës për rivalët politikë e ideologjikë.

P.sh. ca liderë partiakë e shtetërorë që flasin me dorë të ngritur, me shikim të fortë e ritëm të kontrolluar në publik, zakonisht synojnë të krijojnë përshtypjen e udhëheqësit të fortë e me vetëbesim të lartë në vetvete dhe ideologjinë që ata përfaqësojnë. Ka edhe të atillë që këtë dhunti e shoqërojnë edhe me format e reja të socializimit kulturor, vetëm e vetëm që ta arrijnë gradën e “autoritetit karizmatik”, që nënkupton udhëheqje të pakontestuar dhe aftësi për t’i futur masat e gjera në deliriumin e “spektaklit emocional”.

Këto soje lidershipi, për të lënë përshtypje mbresëlënëse në publik, nuk ngurrojnë madje asnjëherë që në “katalogun” e imponimeve të tyre publike të fusin në funksion edhe elementet e fjalimeve dramatike e emocionale, po edhe format e retorikës blasfemuese ndaj kundërshtarëve apo rivalëve të përbetuar politikë. Dhe këso “skenash” stigmatizuese e paragjykuese, ne kemi mundur t’i “testojmë” edhe në përvojën tonë të shkurtër demokratike, andej e këndej kufirit.

Tani, nëse i adresohemi fjalimit, pra mimikës, gjestikulacioneve të herëpashershme, po edhe intonacionit të zërit të Vjosa Osmanit që e mbajti në “Tubimin e Bashkimit” të LDK-s duke i quajtur disa herë frikacakë ish-bashkëpunëtorët e saj të deridjeshëm në LVV-sje mund të themi se ishte një përpjekje e qartë e saj për ta rikthyer autoritetin dhe legjitimitetin e saj të luhatur politik e moral gjatë procesit të moszgjedhjes për postin e Presidentes.

Themi kështu edhe për shkakun se ky fjalim nuk ishte decidivisht vetëm një fjalim elektoral apo emocional, anipse kishte ngjyrime të kësaj natyre, por ishte edhe një diskurs i bazuar mbi tri teza apo tri narrativa aktuale sociopolitike të vendit.

E këto teza apo narrativa që u “prekën” nga Vjosa Osmani ishin; e para,  ajo e polarizimit ekstrem moral të shoqërisë që e riprodhoi ngërçi;  E dyta ajo e tendencës së rikthimit në ate që ajo e identifikoj si “filozofi rugoviane”; Dhe teza apo narrativa e tretë ishte ajo e tentativës për ta imponuar një diskurs të ri mbi “republikën e rrezikuar”. 

Pra, që të tria këto teza apo narrativa të “munguara”, sipas Vjosës, do të jenë ai strumbullari rreth të cilit ajo mendon ta ringjallë perceptimin e kosovarëve për veten e saj dhe për subjektin që do t’i prijë në zgjedhjet e 7 qershorit 2026. Një qasje e këtillë shihet shumë qartë që e ka për imperativ një ndarje binare të realitetit tonë të trazuar politik, që kur thjeshtësohet në antipodet “NE” (djathtistët), që jemi bartësit, artikuluesit, po edhe gardianët e vërtetë të “amanetit të shtetësisë së njëmendtë rugoviane”, dhe “ATA” (majtistët), që de facto e de jure janë bartësit dhe artikuluesit e “propagandës”, “krizës”, “izolimit” dhe “frikës” në këtë vend, shpresohet të bëhet realitet pas 7 qershorit…

Ajo çfarë për mua si sociolog që mu duk më interesante në këtë fjalim të Vjosa Osmani ishte se ajo, me këtë prononcim, në fakt e hodhi gurin parë themeltar të një distancimi të munguar opozitar jo vetëm politik, por edhe moral e etik ndaj LVV. Që i bie se ajo po tentonte ta afirmojë idenë dhe konceptin e asaj që në sociologjinë politike shquhet si tendencë për të vënë “monopol simbolik mbi patriotizmin e shtetit” të Republikës. Sepse, sipas këtij prononcimi të parë masiv, bashkëudhëtari i saj i deridjeshëm (LVV) nuk do të projektohet më vetëm si një rival i rëndomtë politik e ideologjik, por edhe si një rrezik potencial që është duke i shkatërruar institucionet e Republikës!?

Teza e parë, lidhur me arsyet për këtë digresion që po mundohem ta bëj, janë fjalët që ajo i përdori në diskursin e saj në këtë tubim, si: “rruga e izolimit”, “patriotizmi i rrejshëm”, pastaj “frikacakët”, si edhe ato “ushqehen nga kriza” dhe “e shndërrojnë eliminimin në mision”. Pra, në këtë fjalim kemi një diskurs tejet të ashpër, e kisha me thënë edhe me doza populiste (pra një stil i njohur tashmë nga lideri i LVV, Albin Kurti), ku kundërshtari i sotëm, po edhe i ardhshëm, tentohet të delegjitimohet dhe të zhvishet jo vetëm nga aureola politike, por edhe ajo morale.

Teza e dytë, që po ashtu ishte shumë domethënëse, është rikthimi i fuqishëm te figura e Ibrahim Rugovës apo siç e përdorin ca manipulantë partiakë, te “filozofia rugoviane”. Duhet të jemi të qartë dhe objektivë: kur Vjosa Osmani përmend “amanetin e Rugovës”, ajo nuk po apelon vetëm në ish-karizmën e një lideri historik, por po tenton ta aktivizojë një kapital simbolik kolektiv që ende qarkullon në memorien politike të kosovarëve, siç janë: shteti institucional, aleanca me Perëndimin dhe kultura e moderimit politik. Ose thënë më ndryshe, Vjosa Osmani në këtë tubim bëri përpjekje maksimale për ta ilustruar veten e saj si trashëgimtare të vetme legjitime të kapitalit simbolik rugovian dhe për ta paragjykuar e stigmatizuar bashkëudhëtarin e saj të deridjeshëm e kundërshtarin e saj të tanishëm edhe si deviacion nga premisat euro-atlantike të procesit të shtetformimit të Kosovës. Thënë më popullorçe, Vjosa Osmani me prononcimin e saj në “Tubimin e Bashkimit…” tentoi ta kthejë debatin publik nga paradigma “kush fiton pushtetin” në atë “kush e përfaqëson frymën autentike të Republikës” së Kosovës.

Teza e tretë, duhet theksuar pa dorëza se posedon elemente domethënëse të asaj që sociologjia e komunikimit politik e identifikon si dramatizim dhe stërmadhim alarmues të krizës. Kur ish Presidentja, potencon taksativisht se Kosova gjendet “para dy rrugëve”, ajo aludon, sipas gjykimit tim, për një situatë jo vetëm dramatike e të rrezikshme, por parasëgjithash edhe për instalimin e një ndjenje të situatës “hamletiane”: ose shtet serioz e aleanca euro-atlantike, ose krizë, izolim dhe kaos në Republikën e Kosovës!? Aludim ky diskursiv që përdoret zakonisht kur liderët kanë synim ta mobilizojnë emocionalisht elektoratin, ose të krijojnë ndjenjë alarmi hipotetik, ose ta artikulojnë veten e tyre si “gardianët e fundit” të shtetësisë së rrezikuar nga rivalët politikë.

Natyrisht, qasja e tillë e ashpër e ka edhe anën tjetër të medaljes, që është rritja konstante e polarizimit shoqëror, pastaj thellimi i paevitueshëm në “patriotë” dhe “anti-shtet”, si dhe shndërrimi i debatit publik në rrafshin e konfliktit moral e emocional. Gjuha e tillë e ashpër, në gjykimin tim, nuk ka fare asnjë garancion për rikthimin e “rugovizmit politik” në skenën aktuale, e aq më pak si një tentativë për ta paraqitur veten si simbol të republikës institucionale dhe pro-perëndimore.

Përkundrazi, gjykoj që mimika, gjestikulacioni dhe sidomos lëvizjet e trupit të Vjosa Osmanit në “Tubimin e Bashkimit” të LDK-s, kanë gjasa reale që atë ta katapultojnë në një konflikt të pakryer narrativ lidhur me monopolin e patriotizmit dhe shtetësisë së Kosovës…

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".