Vetëvendosje kundër takimit në Shtëpinë e Bardhë

  • E.K /
  • 25 August 2020 - 14:40
Vetëvendosje kundër takimit në Shtëpinë e Bardhë

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se nuk duhet të shkohet në fazën përmbyllëse të dialogut Kosovë-Serbi pa ardhur në pushtet një Qeveri, legjitime.

Zyrtari i lartë i kësaj partie, Glauk Konjufca thotë se javët e ardhshme mund të jenë me pasoja të mëdha për vendin, duke aluduar kështu në takimin e 4 shtatorit në ShBA.

Sipas tij, pa u zgjedhur përfaqësuesit e rinj në vend, takimet do të jenë vetëm eksperimente, që sipas tij po bëhen shumë shpejt.

“Nuk duhet të shkohet në fazën përmbyllese të dialogut me Serbinë. Sepse besojmë që nuk duhet të bëhet kjo pa një qeveri legjitime”.

“Pa u mbajtur zgjedhjet e reja në Kosovë që do t’ia jepnin përfaqësuesin e vërtetë përfaqësuesit të popullit, këto të gjitha mund të jenë jo vetëm eksperimente që po bëhen shumë shpejt, këto javët që po vijnë”, tha ai.

Konjufca ndër të tjera shtoi se takimet me palën serbe, mund të jenë me pasoja fatale e të parikuperueshme për shtetin e Kosovës.

Sipas Konjufcës, Qeveria Hoti po shkon pa platformë në dialog me Serbinë.

Liderët kosovarë dhe ata serbë javën e parë të shtatorit do të udhëtojnë për në ShBA, ku pritet të takohen dhe të diskutojnë nën ndërmjetësimin e diplomatëve e zyrtarëve të lartë amerikanë.

Takimi është thirrur nga emisari Richard Grenell dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Rober O’Brien, teksa është përfolur se mund të marrë pjesë edhe presidenti Donald Trump.

Ndryshe, deri tani është raportuar se në takim do të diskutohet vetëm për çështje ekonomike.

(Kosova Sot Online)