Shkencëtarja e Oksfordit paralajmëron rritje të rrezikut për përhapje të sëmundjeve nga kafshët

  • E.K /
  • 31 August 2020 - 09:32
Shkencëtarja e Oksfordit paralajmëron rritje të rrezikut për përhapje të sëmundjeve nga kafshët

Shkencëtarja që po i udhëheq kërkimet e Universitetit të Oksfordit për zbulimin e një vaksine kundër koronavirusit ka paralajmëruar për rritje të rrezikut për përhapje të sëmundjeve nga kafshët te njerëzit.

Profesoresha Sarah Gilbert tha se këtë rritje të rrezikut është duke e shkaktuar aktiviteti njerëzor, duke shtuar se rreziku nuk pritet të ulet në të ardhmen, për aq gjatë sa vazhdon procesi i globalizimit.

“Dendësia më e madhe e popullsisë, shtimi i udhëtimeve, shpyllëzimi – të gjitha këto gjëra i rrisin gjasat që këto përhapje do të ndodhin dhe pastaj që diçka do të përhapet”, tha Gilbert për gazetën “The Independent”.

“Për shkak të mënyrën se si janë zhvilluar gjërat në botë, ka më shumë gjasë që të kemi përhapje të infeksioneve me prejardhje nga kafshët në të ardhmen”, shtoi ajo.

Shumica e shkencëtarëve besojnë se sëmundja Covid-19 është përhapur fillimisht nga lakuriqët dhe nga personat e infektuar nga një kafshë tjetër në një treg në qytetin Wuhan të Kinës.

Disa sëmundje tjera vdekjeprurëse, si Ebola, Sars dhe Virusi i Nilit Perëndimor, gjithashtu e kanë pasur prejardhjen nga kafshët.

Projekti i Universitetit të Oksfordit për zbulimin e vaksinës është duke i pritur rezultatet e fazës së tretë të testimit. Nëse vërtetohet shkallë e lartë e efikasitetit, ekipi i shkencëtarëve shpreson se vaksina mund të jetë e gatshme në fund të këtij viti.

(Kosova Sot Online)