Ismaili për laboratorin e Devollëve: Shteti duhet të çlirohet nga zhvatësit

  • E.K /
  • 31 August 2020 - 15:40
Ismaili për laboratorin e Devollëve: Shteti duhet të çlirohet nga zhvatësit

Ish-ministri i shëndetësisë dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Uran Ismaili e ka komentuar çështjen e bërjes së testimeve për Covid -19 në vlerën e 200 eurorëve në laboratorin  “Medical”  i cili është në pronësi të vajzës së Blerim Devollit.

Ismaili është shprehur se shëndetësia duhet të çlirohet njëherë e përgjithmonë nga monopolet dhe keqpërdorimet që pasurojnë oligarkët dhe varfërojnë qytetarët.

“Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe e xhepit të tyre duhet të jetë parimi kryesor i të gjitha politikave shëndetësore. Për këtë arsye, hapi i radhës në ndalimin e zhvatjes në emër të shëndetit do të ishte vendosja e tavanit të çmimit për testime në laboratoret private”, thotë Ismaili.

Ai deklaron s eka kërkuar që moti që të bëhet testimi masiv i qytetarëve.

“Që nga fillimi i pandemisë e kam kërkuar një gjë shumë të thjeshtë: testimin masiv të popullatës. Fatkeqësisht asnjëra qeveri nuk arriti të bëjë këtë. Licencimi i institucioneve private për testim është hap para në luftimin e pandemisë, por kurrsesi nuk duhet të shihet si zëvendësim i testimit falas të organizuar nga shteti”, thotë ai tutje në reagim.

“Për të mbrojtur qytetarin nga predatorët financiarë, para se të licencoheshin laboratoret private, Qeveria është dashur të vendoste tavanet e çmimeve për të gjitha shërbimet që ndërlidhen me pandeminë”.

Ismaili thotë se nuk duhet që asnjë kompani, të pasurohet padrejtë në kurriz të pacientëve tanë.

“Shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve nuk mund të rrezikohet për shkak të interesave financiare të askujt”, thotë Ismaili.

(Kosova Spot Online)