Kush i financon rrogat e gjykatësve të Speciales

  • E.K /
  • 02 September 2020 - 13:58
Kush i financon rrogat e gjykatësve të Speciales

Dhomat e Specializuara të Prokurorisë dhe Gjykatës në Hagë kanë shtuar aktivitetin ditëve të fundit, teksa në Kosovë vërehet rritje e numrit të ftesave për intervistim.

Me Specialen po përballen edhe figura eminente të politikës në Kosovës, përfshirë presidentin Thaçi dhe kreun e PDK-së, Kadri Veseli, ndaj të cilëve u publikua një aktakuzë e cila po pret vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake.

Por cilat shtete i financojnë pagat e gjykatësve të Speciales?

Dhomat e Specializuara të Kosovës financohen nga Bashkimi Evropian dhe shtetet kontributesh të treta siç janë Norvegjia, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa gjykatësit e Dhomave të Specializuara, përveç presidentit, paguhen vetëm kur angazhohen për të kryer funksione specifike zyrtare.

Kështu kanë thënë për lajmi.net nga zyra për media e Speciales.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës veprojnë me përkrahjen e Bashkimit Evropian dhe shtetet si kontribuese të treta, Norvegjia, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara. Sa i përket gjykatësve të Dhomave të Specializuara, ta keni parasysh se përveç presidentit, gjykatësit janë në listë dhe paguhen vetëm kur angazhohen me kërkesën e presidentit për të kryer funksione specifike zyrtare, për shembull kur caktohen në panele të ndryshme në seanca paraprake, seanca gjyqësore, seanca për apelim etj”, ka thënë zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep.

Ndërkohë, kohët e fundit është ngjallur debat lidhur me vazhdimin e mandatit të kësaj gjykate.

Bazuar në amendamentin e Kushtetutës së Kosovës, në bazë të së cilit janë formuar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, që njihet si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, mandati pesëvjeçar i këtij institucioni do të skadojë këtë vit (më 2020).

Megjithatë, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet që mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i lajmërojë për këtë institucionet e Kosovës.

Pakë ditë më parë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi u kërkoi deputetëve të Kuvendit të Kosovës që t’ia zgjasin mandatin Gjykatës Speciale. Këtë kërkesë presidenti e bëri përmes një video-mesazhi në profilin e tij social, drejtuar deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës, duke shpresuar që deputetët do ta mbështesin kërkesën e tij.

Kjo Gjykatë përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë, edhe pse ajo funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

(Kosova Sot Online)